Rama: “Të publikohen emrat e të ardhurve nga Italia”, Lleshaj injoron urdhrin

71

Rama njoftoi tri ditë më parë publikimin e emrave të shqiptarëve që po kthehen së fundi nga jashtë, ministria e Brendshme refuzon të zbatojë urdhrin e Ramës.

Të shtunën, nisi kthimi në Shqipëri me avionë, i rreth 1400 qytetarëve që kishin ngelur në rrethana të ndryshme jashtë vendit.

Kryeministri Rama njoftoi se që për grupin e parë që u kthyen nga Italia, do të publikoheshin emrat e tyre në përpjekje për të frenuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit.

“Lasgushi ka sjellë një grup të parë nga Italia dhe Policia e Shtetit do të publikojë emrat e tyre dhe të të gjithë atyre që do kthehen, sipas një praktike të dobishme të disa vendeve, në mënyrë që po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit askush që i njeh të mos u afrohet!”, ishte deklarata e z.Rama.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit si drejtori në varësi të saj, nuk i publikuan emrat as të grupit të parë dhe as të të tjerëve që vijojnë, duke shpërfillur deklaratën e Ramës.