Ballina OPINION Rama po kërkon kamardaren e Monës dhe Lulit

Rama po kërkon kamardaren e Monës dhe Lulit

Edi Rama ka pasur tre qasje të ndryshme ndaj protestave të studentëve. Fillimisht ai i trajtoi me përbuzje, duke predikuar se qytetarët nuk mund të paguanin edhe për ngelësit.

Më pas, kur pa përmasat që morën manfestimet, ai luajti rolin e njërit prej tyre. Ai arriti kulmin duke thënë në “Opinion” se studentët në rrugë kishin dalë për dashurinë ndaj tij, madje ëndërroi si gardistët e kuq të kryetarit Mao që do të marshonin bashkë më tej për të linçuar rektorët, dekanët dhe pedagogët.

Tani kur protesta ka mbërritur në ditën e saj të 13, ai u kthye të bëjë atë që di të bëje më mirë. Atë që ka bërë pothuasje me çdo manifestim kundër tij, që prej kohës së armëve kimike.

Me delirin e atij që nuk pranon asnjë difekt, ai do ta shesë atë që ndodhi si një manipulim të opozitës që nuk e mund dot Rilindjen me vota.

Po t’i shohësh statuset e Ramës të ditëve të fundit ato janë të mbushura me alegori për PD dhe LSI. Ato i fryjnë borive të kapjes së protestës nga partitë, të forumeve rinore që kanë zënë vendet e studentëve të çiltër dhe të militantëve që luajnë rolin e prindërve realë.

Në këtë fazë të tretë të ndryshimit të strategjisë së tij, kryeministrit nuk i ka mbetur asnjë rrugëzgjidhje tjetër veçse të përdorë Monën dhe Lulin si kamardare shpëtimi.

Natyrisht, opozita ka luajtur rolin e saj të shëmtuar në të gjithë këtë histori. Por këtu në pyetje nuk është qëndrimi i saj, por shndërrimi, i atij që kërkoi të lunate rolin e timonierit të madh, në një politikan meskin që godet pas shpine. Dhe kjo e ka një shpjegim fare të thjeshtë. Ai duhet kërkuar tek fakti se ata studentë rrefuzojnë t’a shohin si partner në dialog.

Për disa arsye.

Sepse ai, që tashmë ka marrë etiketën kryeministri i të pasurve, nuk shihet më si një shpresë për shoqërinë e drejtë dhe të barabartë ku ata duan të hyjnë nesër.

Sepse ai, si nismëtari i ligjit të arsimit të lartë që planifikon të çojë paratë publike tek privatët, nuk ka asnjë shans që në afatgjatë të plotësojë kërkesat e tyre.

Sepse ai që e ka mbushur qeverinë dhe administratën me hajdutë të pagdhendur me diploma falco, nuk është në gjëndje t’i përgjigjet aspiratave të tyre.

Sepse ai, pas manipulimeve me FRESH-in dhe spektaklit fallco që organizoi më Top Show, tregoi se është i një race të ndryshme me ata student që ende nuk janë mësuar me makivelizmin e baballarëve të tyre.

Sepse ai, edhe kulturalisht edhe estetikisht tregoi se është ku e ku më i vjetër, se shpërthimi i kreativitetit dhe fantazisë që shpalosën këto ditë studentët.

Këto dy javë treguan se edhe nëse do e kishte të mundur, ai kurrë nuk do të arrinte të ishte partneri, dialoguesi apo bashkëudhëtari i tyre.

Dhe me sa duke e ka kuptuar këtë.

Prandaj i është shmangur përballjes reale dhe po përpiqet ta zhvendosë konfliktin me Lulin dhe Monikën. Sepse vetëm aty ndihet mirë, me të singjashmit e vet.

(marrë nga lapsi.al)