Rama nuk heq dorë nga vendimi për të paguar faturat e energjisë: “Qeveria mbahet me kontribute jo dëshira e dokrra”

66

Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga mendimi se qytetarët duhet të paguajnë faturën e energjisë.

Rama komunikoi se do të falet kamatëvonesa, e cila nuk është ndonjë vlerë e konsiderueshme, por për energjinë elektrike ka deklaruar prerazi se kush nuk e paguan i priten dritat.

“Qeveria mbahet me kontribute e jo me dëshira e dokrra rrjetesh sociale. Kamatëvonesat i falëm se jemi në luftë përndryshe kurrë s’do e lejoja, kjo e dobëson OSHEE, nëse këtë goditje duhet ta mbajë për të lehtësuar njerëzit, mospagesa e dritave e rrëzon përtokë sistemin elektrik”.

Sipas Ramës kjo do na e bënte të pamundur jo vetëm fitoren por edhe mbarimin e kësaj lufte.

“Pra një për të gjithë e të gjithë për një, shteti sa të mundet e secili për shtetin sa i takon, s’ka rrugë tjetër”, deklaroi Rama.