Ballina Aktualitet Rama letër të tretë Bashës: Eja në dialog! Shqipërisë i duhen burra,...

Rama letër të tretë Bashës: Eja në dialog! Shqipërisë i duhen burra, jo kalamaj, qeveria dhe 30 qershori nuk lëvizin

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar letrën e tretë publike kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke e ftuar sërish që të ulen pak kushte në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën politike që ka mbërthyer vendin prej më shumë se tre muajsh. Kreu i qeverisë fton liderin opozitar që të shkëputet nga mllefi. “I dashur Lulzim, shkëputu nga krahët e mllefit që ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu në Tryezën e Dialogut“.

Rama shprehet se vendi ndodhet në një moment që i duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë. “Mjaft me këtë karshillëk me zarar që po i bëni vendit, shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe miqve e partnerëve të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipërisë i duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë, jo kalamaj në formë burrash që luajnë luftash në dëm të saj – ndjesë edhe kalamajve për ofendimin e paqëllimtë! 

Ju as i keni fituar, as do t’i fitoni dot deri kur të largoheni nga detyra votat e shumicës së shqiptarëve, ashtu sikundër as keni bindur e as bindni dot, asnjë mik e partner ndërkombëtar të Shqipërisë, Ju vazhdoni i bini fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort! Sidoqoftë, për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj një mundësi për të nxitur Dialogun. Aq më mirë që njerëzit mund të na lexojnë të dyve“.

Megjithatë Rama në fund i kujton kundërshtarit të tij politik se edhe nëse nuk do të futen në zgjedhje, procesi do të mbahet në 30 qershor dhe se qeveria nuk ka asnjë shans që të ndryshojë pa zgjedhje. “Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë“.