Ballina Aktualitet Rama iu drejtohet studentëve: Protestoni sa të doni, po ngrini urë komunikimi

Rama iu drejtohet studentëve: Protestoni sa të doni, po ngrini urë komunikimi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes nje postimi për protestën e studentëve në Tiranë dhe rrethe të tjera të Shqipërisë.

Rama thotë se parimisht është dakord me tetë kërkesat e studentëve, por kërkohet urë komunikimi për të zbërthyer secilën prej pikave.

“Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi”- thotë Rama.

“Të dashur protestues,

‪Kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka. Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin. ‬

‪Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë! (Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia:-)

‪Kujdes nga kushdo ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?

‪Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. ‬E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër.

‪Ju e dini vetë, po unë jam me ju jo me Ariun dhe Ariun se keni në qeveri po brenda e rrotull jush;-)‬,” shkruan ai.