Ballina Aktualitet Rama ironi me Bylykbashin:Zoti s’ka pasur mendjen kur ai lindi

Rama ironi me Bylykbashin:Zoti s’ka pasur mendjen kur ai lindi

Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ku po zhvillon fushatë elektorale u shpreh se ajo që tha Aurel Bylykbashi që “le të ketë vëllavrasje” është një turp.

Rama theksoi se elbasanllinjtë duhet që të distancohen nga këto thirrje. Ai vlerësoi se Elbasani i vlerave dhe traditave duhet që të refuzojë kategorikisht këtë person.

“Ai është një gabim njerëzor. Ai me siguri është krijuar në një moment që Zoti nuk e ka pasur mendjen. Elbasani e ka për turp që ka një person të tillë. Flet për vëllavrasje këtu pa pikë turpi. Ai është një turp për Elbasanin. Do thoni ju pse i jep kaq rëndësi. Sepse është cerja tipike e shpirtit të keq, që ka pushtuar shpirtin e atyre në politikë qysh se është krijuar shteti shqiptar. Është krimbi që ka ngrënë nga Shqipëria, duke e masakruar vendin.

Ata që kanë shkatërruar Shqipërinë, kanë qenë gatuar nga i njëjti shpirt si ai mjeran. Këta njerëz janë të varur nga 4 vetë, që po digjen vetë, shikojeni sesi zjarri që iu ka bërë shkrumb e hi mendjen e shpirtin po i tret përditë dhe më besoni që çdo ditë e më shumë shkrumb e hi do të bëhet në sytë e njerëzve. Do jenë hije që lëvizin, fantazma që do i përkasin historisë së errët, që fillon me Haxhi Qamilin dhe e kanë ripërtërirë si Haxhi Qamilistë të rinj. Kemi edhe ne kusuret tona, njerëz që përpiqen të ndërtojnë”, tha Rama.