Ballina Aktualitet Rama: Iliri e kujton Kushtetutën filxhan, kanë ankth nga drejtësia

Rama: Iliri e kujton Kushtetutën filxhan, kanë ankth nga drejtësia

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot pasdite në Mallakastër për të prezantuar kandidatin e ASHE për zgjedhjet e 30 qershorit. Përveç prezantimit të Qerim Ismailit, në fjalën e Ramës nuk kanë munguar etiketimet dhe deklaratat për Presidentin, kreun e PD-së dhe kryetaren e LSI.

Ai tha se qeveria ka mbështetje nga shumica parlamentare dhe se opozita nuk e ka hallin vetëm me zgjedhjet por edhe me negociatat. Sipas kryeministrit me daljen e Metës si shpëtimtar u zbulua dhe plani i opozitës.

“Nuk e kanë hallin me zgjedhjet, por edhe me negociatat. Me negociatat hapen dhe kapitujt e drejtësisë. Protestat e opozitës, me popull imagjinar. Me PS, në rrugën e pandalshme për një vend të denjë. Me daljen e Metës si shpëtimtar u zbulua plani i tyre. Argumentet e Metës, si të Monikës kur sheh filxhan. Nëse do shtynim zgjedhjet, do futeshim në rrugë pa krye”, deklaroi Rama.

Sa iu përket protestuesve të opozitës të arrestuar, kreu i qeverisë tha se u përdorën si mish për top.
“Sot dhjetëra njerëz që janë pas hekurave janë përdorur si mish për top, nga ata që nuk flenë dot gjumë nga ankthi i drejtësisë që po vjen dhe duan t’i fusin ankthin njerëzve.

Aq sa arriti ai personazhi i të ndjerit Albert Verria të prishte koncertin me çingijet e tij, aq do arrijë Luli me Ilirin, Saliu me fallxhoren të prishin 30 qershorin. Iliri e kujton kushtetutën filxhan. Ajo tjetra i thotë jepi se më ka dalë një ‘3’ përmbys. I thotë jepi se është edhe një ‘p’, dmth populli të do.
Nëse Ilirit i dridhet zemra për popullin e ka të thjeshtë boll t’i thotë Monikës qetësohu, shiko filxhan, lutu zotit siç e ke zakon përditë të shpëtojë Shqipërinë por pa britma dhe Lulit. Dhe kaq mbaron 97, nuk ka 97 këtu, ka 4 njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë çorap. Kur kemi shkuar 4 vite më parë edhe në Fier, edhe në Patos, edhe në Roskovec, edhe këtu dhe kemi thënë na jepni votën, mbështesni kandidatët tanë, kush na dëgjoi dhe votoi, fitoi. Këtu nuk na dëgjuan shumica por nuk më duket se fituan, mallakastriotë të djathtë e të majtë. Dallimi se çfarë ka ndodhur në këtë bashki dhe të tjera është i dukshëm.
Qerimin e keni njeriun tuaj, mbështeteni fuqimisht, unë ju zotohem se nëse bëjmë këtë kontratë me ju në 30 qershor do bëjmë për Mallakastrën më shumë se ç’është bërë në gjithë këto vite”, deklaroi Rama.