Qëlloi me armë zjarri pas grindjes me rojen e QTU, polici prangoset, në kërkim i vëllai

82

Një incident ka ndodhur në qendrën tregtare Univers (QTU), pasi një punonjës policie ka hapur zjarr me armën e detyrës ndërsa ishte grindur me një roje.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën dhe sot policia njoftoi se ka arritur të vërë në pranga në kushte flagrance kolegun e vet, ndërsa vëllain e tij po e kërkon pasi ka marrë arratinë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Drilon Toska, 35 vjeç, (punonjës policie) si dhe u bë shpallja në kërkim e vëllait të tij shtetasit Arbër Toska, 29 vjeç.

Gjithçka ndodhi të shtunën kur polici dhe vëllai kanë shkuar te qendra tregtare QTU. Në rrethana ende të paqarta, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me rojen security të kësaj qendre tregtare.

Në një moment situata ka agravuar deri aty sa polici ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar me plumba. Policia thotë zyrtarisht se D. T., ka qëlluar me armë zjarri në tokë.