Qëlloi Klodian Rashën me armën e shërbimit, ndryshon akuza për Nevaldo Hajdarajn, ja sa vite burg rrezikon efektivi

316

Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën për efektivin e policisë, i cili vrau Klodian Rashën në mëngjesin e datës 8 dhjetor.

Prokuroria ka ngritur akuzën për “vrasje me dashje”, me 31-vjeçarin që rrezikon deri në 20 vjet burg.

Ndryshimi i akuzës, sipas prokurorisë është bërë për shkak se Nevaldo Hajdaraj ka qëlluar dy herë me armë zjarri ndaj 25-vjeçarit.

“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës”, – thekson prokuroria.

Ndërkohë, më parë akuza që rëndonte mbi Hajdarajn ishte ajo e “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes”, me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.

“Nisur nga reagime të ndryshme, në mediat audio-vizive dhe ato të shkruara, në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me armë zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, duke respektuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për sekretin hetimor, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka pasur përdorim dhune”,  thuhet ndër të tjera në njoftimin e djeshëm të prokurorisë.