Punoj në të zezë/jam i papunë a marr pagën minimale nga qeveria? Përgjigjet Arben Ahmetaj

81

Në Shqipëri nuk është e rrallë puna në të zezë e as puna me ditë. Shqipëria nuk është një vend ku ligjshmëria lulëzon, kur flasim për deklarime të ardhurash apo pagim kontributesh. Kjo është diçka e ditur nga të gjithë, madje edhe vetë shteti. Shteti jo vetëm ka dijeni për këtë, por duket se e ka patur të pamundur ta luftojë 100% këtë fenomen.

Punësimi në të zezë, shpeshherë sheh fajtor punëdhënësin edhe punëmarrësin, por ka një pikëpyetje të madhe në këtë mes sepse është e vështirë të protestosh për t’u siguruar, kur diskutohet për pagën që mban familjen.

Megjithatë qeveria ka vendosur të mos japë pagë minimale për njerëzit që punojnë në të zezë duke u limituar t’u japë atyre ushqime. Këtë gjë e ka bërë të ditur sërish Arben Ahmetaj, ministri i vendosur nga Rama për të menaxhuar situatën koronavirus. Sigurisht që vlen logjika se të ardhurat nga shteti duhet t’i marrin ata që derdhin kontribute në shtet, por a do të mjaftojnë pakot me ushqime për këto familje ku disa nga ta mund të kenë detyrime të tjera për të shlyer?

“Kjo është pjesë e operacionit humanitar, po ju them se çfarë ndihmash ju japim ne këtyre familjeve, çfarë lloj ndihme ju jep shteti. Janë 77 mijë e 877 familje me ndihmë ushqimore, 21 mijë e 625 me ndihmë mjekësore si dhe ndarja e pensioneve. Ju duhet të dini që informaliteti është skllavëri. Ndaj iu referova operacionit humanitar ku familjet marrin pako të herëpashershme. Rezerva e shtetit ka sot 20 milionë dollarë për të blerë ushqime për pako”,- sqaroi ai.

Kjo është përgjigjia e tij në emisionin “Real Story” në News 24, në lidhje me punëtorët në të zezë dhe të papunët.