Ballina KULTURË Psikologët, veshja juaj ndikon në statusin socio-ekonomik

Psikologët, veshja juaj ndikon në statusin socio-ekonomik

Një veshje shpesh është e rëndësishme për besimin dhe ndjenjën e vetëfuqizimit. Por, stili i një personi tregon shumë më tepër se sa kaq. Një studim në SHBA flet për faktin se veshja profesionale, u jep njerëzve një perspektivë më të gjerë: vetë statusin e tyre.

“Formaliteti i veshjeve mund të ndikojë jo vetëm në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë një person dhe se si njerëzit e perceptojnë veten, por mund të ndikojnë në marrjen e vendimeve në mënyra të rëndësishme, nëpërmjet ndikimit të saj, duke u ofruar statusin e personit në fjalë”, thotë studimi.

Ekspertët e fushës psikologjike pohojnë se veshja profesionale krijon distancë sociale. Sipas prof. Arjana Muçaj, uniforma është një nga elementet për t’i bërë punonjësit të kuptojnë se cilit institucioni i përkasin dhe se si e përfaqësojnë atë.

“Veshja nën petkun e uniformës në korporata bën dhe dallimin sipas kategorive që punonjësit përfaqësohen në kompani. Nga pikëpamja psikologjike, uniforma na përgatit emocionalisht për mënyrën tonë të sjelljes.

Identifikimi i vetes me kompaninë sidomos kur në treg artikujt e saj vlerësohen, na bën që të ndiheni më mirë dhe të rrisim produktivitetin, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve, në kompanitë tona nuk i kushtojnë vëmendje e madhe uniformës. Shumë kompani të huaja e kanë si normë veshjen e uniformës. Edhe sektori bankar që është më i dallueshmi tek ne.”- thotë prof. Muçaj.

Ekspertja shtron pyetjen: A ka kjo një kosto për punonjësin?

“Kryesisht jo. Sepse është kompania që kujdeset për të. Kjo ka të bëjë me prezantimin që kompania i bën punës së saj. Nga pikëpamja sociale individi mësohet se veshja është tregues i përgjegjësisë dhe duhet ta përfaqësojë sa më mirë atë.

Në aspektin ekonomik mund të ndikojë me anë të identifikimit që i bëhet kompanisë nëpërmjet ngjyrave apo uniformës. Kjo pasi ngjyra dhe veshja në përgjithësi shërben si stimul për syrin e konsumatorit, duke e bërë të njohur për publikun. Gjithashtu, uniforma u jep mundësinë të gjithë punonjësve të ndihen të barabartë në ambientin e punës.”- përfundon prof. Arjana.