Pse tentojnë vetëvrasjen pacientët e COVID-19 në vend? Flet mjekja shqiptare në Britani

64

Shumë pacientë të prekur nga COVID-19 kanë pësuar rëndesë psikologjike e të tjerë nuk kanë mundur të përballojnë situatën duke kryer akte ekstreme.

Rasti më i fundit ishte dje, këtë herë në spitalin e QSUT-së ku një pacient i shtruar 69 vjeçar u hodh nga kati i dytë.

Në një lidhje Skype në emisionin “Wake Up”, Arlinda Cerga, e cila prej 27 vitesh jeton në Angli ku angazhohet si psikologe dhe drejtuese e studimeve shkencore për shëndetin mendor, tregoi arsyet që çojnë pacientët drejt këtij akti të rëndë.

“Në fakt nuk ndodh vetëm në vendin tonë. Merr më tepër vëmendje mediatike në Shqipëri, por fatkeqësisht është duke ndodhur një fenomen global. Rritja e vetëvrasjeve është ajo që kemi folur që në mars e prill. Vetëvrasjet shpesh janë pasojë e problemeve të shëndetit mendor dhe rritja e stresit psikologjik gjatë kësaj periudhe, sidomos te pacientët e shtruar është shumë i madh, – tregon ajo. – Ka disa faktorë që ndikojnë në rritjen e vetëvrasjeve. Përveç gjendjes së rënduar psikologjike, ka edhe mjaft arsye të tjera që janë për shkak të Covid-19″.

Mjekja shqiptare në Britani argumenton se kjo vjen edhe “për shkak të mungesës së oksigjenit në tru, që shkakton dëmtime në zona të caktuara. Krijohet inflamim në tru që sjell më pas probleme të tjera. Disa mjekime, për shembull steroidet, që shkaktojnë probleme të tilla dhe pagjumësia. Pagjumësia e shkatërruar për shkak të simptomave dhe dhimbjeve. Këto rrisin rrezikun e vetëvrasjes. Por edhe ndarja nga miqtë dhe të afërmit”, sqaroi mjekja.