Ballina OPINION Pse studentët tani nuk duhet ta humbin shansin

Pse studentët tani nuk duhet ta humbin shansin

nga Fatos Lubonja

Është folur shumë së fundi mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet e protestave studentore të këtij dhjetori me protestat e mëhershme, duke filluar nga ato të viteve ‘90-‘91. Janë krahasime që vlejnë sepse duhet edhe të mësojmë, edhe të motivohemi nga historia, por gjithmonë duke pasur parasysh se, sikurse thoshte Herakliti, “nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë”.

PROTESTAT DHE VITET ‘90-‘91

Meriton të ndalemi te dy elementë të rëndësishëm, që i bëjnë të ndryshme protestat e viteve ‘90-‘91 me ato të sotmet.

Së pari, në vitet ‘90-‘91 ishte vetë regjimi që, pas rënies së murit të Berlinit, u shtrëngua të bënte lëshime dhe ndryshime për të gjetur një tranzicion të butë – sepse nuk mund të mbahej dot më në këmbë – derisa arriti në pranimin e pluralizmit politik dhe të zgjedhjeve pluraliste.

Së dyti, i gjithë ky proces pati mbështetjen aktive politike e diplomatike të Perëndimit, të angazhuar për të shembur sistemin komunist. Pra, e ashtuquajtura lëvizja studentore, që sot mitizohet sikur ta ketë sjellë ajo ndryshimin, në fakt, u përdor thjesht si instrument i ndryshimit të sistemit, i kalimit nga regjimi i një bande kriminale në shtetin e së drejtës. Lëvizja e përshpejtoi sadopak këtë proces, por duke qenë e mbështetur nga një prapavijë e rëndësishme politike.

Sot, po të dëgjosh kërkesat e studentëve, veçanërisht me veshët e një ndërkombëtari, ato mund të konsiderohen si protesta kundër vendimmarrjes së një qeverie demokratike, që prek një grup të caktuar interesi. Madje, qeveria shfaqet e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe, për këtë, kërkon dialog dhe negociata. Kështu e kanë interpretuar edhe disa ambasadorë ndërkombëtarë në vend, sikur në Shqipëri demokracia funksionon. Pra, sot as kemi ndonjë predispozitë nga njerëzit e regjimit për të ndryshuar strukturat e pushtetit të tyre dhe as kemi ndërkombëtarë që mund ta mbështesin këtë protestë për përmbysjen e një regjimi.

PROTESTAT DHE VITI ‘97

Pse ngulmoj të përdor fjalën regjim? Sepse, po ta lidhim protestën e studentëve me protestat e tjera që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vend, me skandalet e papara të korrupsionit dhe të grabitjes së pronës publike si dhe me faktin se këto bëhen në bashkëpunim me një Polici, Drejtësi dhe media të kapura, këto protesta – potencialisht – mund të konsiderohen si kundër regjimit të instaluar nga një pakicë kriminale. Me fjalë të tjera, kundër një aberracioni të rëndë të kapitalizmit dhe demokracisë që u vendos në letër më 1991. Po t’i shohim kështu, protestat po zhvillohen në një kontekst shumë më të ngjashëm me atë të fillimit të protestave të vitit ‘97. Edhe asokohe kishim aberracionin e idealeve të ‘90-‘91-shit në një regjim, ku, me gjithë ekzistencën e partive opozitare sundonte një parti e vetme që kontrollonte Drejtësinë, Policinë, mediat kryesore dhe, – vini re ngjashmërinë – kontrollonte edhe ekonominë që bazohej kryesisht në piramidat financiare, që vidhnin lekët e shqiptarëve, me një pjesë të të cilave paguhej edhe fushata elektorale e partisë në pushtet. Le të kujtojmë gjithashtu se ky regjim kishte edhe mbështetje ndërkombëtare. Në vitin 1996, ky regjim grabiti votat dhe shtypi lehtësisht protestën e mekur të opozitës pa ndonjë reagim kushedi të ndërkombëtarëve. Një ngjashmëri tjetër me atë kontekst është fakti se, ashtu si sot, populli ndihej i pafuqishëm të reagonte politikisht, priste ndihmën e ndërkombëtarëve apo një “deus ex machina”, kurse opozita një, dy, e shkonte ankohej nëpër ambasada.

Si “deus ex machina” asokohe erdhi rënia e piramidave, që bëri që njerëzit të mobilizohen dhe të dalin në rrugë me thirrjen “duam paret tona!”. Opozita e përdori këtë pakënaqësi të madhe popullore për të rrëzuar qeverinë. Për këtë, partia më e madhe opozitare, PS, pranoi krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, “Forumi për Demokraci”, që u dha drejtim protestave. Përmasat e protestave dhe dhuna kundër tyre rritën ndjeshmërinë perëndimore, duke sjellë gazetarë të huaj që u mirinformuan se çfarë po ndodhte dhe, me botimin e shkrimit të “The Independent”: “Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim” pati një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare për regjimin.