Ballina OPINION “Pse s’jam me banorët e Unazës se Re, më e rëndësishme se...

“Pse s’jam me banorët e Unazës se Re, më e rëndësishme se të ardhurit në Tiranë është grabitja që po i bëhet shqiptarëve”

Nga Andi Bushati

Problemi dhe dhimbja e rreth 2000 banorëve që qeveria ka vendosur t’u prishë në mënyrë harbute shtëpitë po zë një vend të ekzagjeruar në debatin rreth asaj që po ndodh me Unazën e re. Sa falë qëndresës së tyre tre javore, dhunës që kanë hequr mbi kurriz, po aq edhe prej një taktike perfide të qeverisë, çështja po zhvendoset tek dilema se a duhen dëmshpërblyer 100% ata.

Problemi dhe dhimbja e rreth 2000 banorëve që qeveria ka vendosur t’u prishë në mënyrë harbute shtëpitë po zë një vend të ekzagjeruar në debatin rreth asaj që po ndodh me Unazën e re. Sa falë qëndresës së tyre tre javore, dhunës që kanë hequr mbi kurriz, po aq edhe prej një taktike perfide të qeverisë, çështja po zhvendoset tek dilema se a duhen dëmshpërblyer 100% ata.

Opinioni është ndarë në dysh mes moralit dhe të drejtës ligjore që kanë pronarët e 317 ndërtesave, mbi trojet e zaptuara dy dekada më parë.

Nga njëra anë, Rama po i fryn borive të urrejtjes kundër rrëmbyesve profesionistë si Ramazani, Pali, Gjovalini të cilët kërkojnë të grabisin fondin e pagave të mësuesve dhe infermierëve.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij citojnë legjistacionin europian dhe të drejtat e njeriut që bën përgjegjës shtetin që i ka lejuar ndërtimet informale.

Natyrisht, argumentimi i dytë duket më bindës, më logjik dhe me human, por pavarësisht nga kjo, debati rreth fatit dhe hallit të tyre është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh tek Unaza e re.

Ai është i ngjashëm pak a shumë me protestën e aktorëve që u ngritën në fillim të gjithë së bashku për mbrojtjen e godinës së teatrit. Ai krahasohet, po ashtu me protestën që bënë qytetarët e Kukësit për të kundërshtuar vendosjen e traut në rrugën e kombit.

Por sikurse e pamë, qeveria u zbyth, i uli taksën dhe banorët e Kukësit u qetësuan. Erion Veliaj e hapi qesen, i shtoi qokat dhe arriti t’i përcajë aktorët.

Por, pavarësisht se një pjesë e protagonistëve të këtyre revoltave qytetare ndryshuan kahje, problemi i koncesionit të rrugës së kombit dhe ai i kullave që do ndërtohen pas teatrit mbetet po aq skandaloz.

Me të njëjtën analogji edhe sot gjithsejcili mund të pyesë: po nëse banorët dëmshpërblehen 100%, a mbyllet skandali i Unazës së re?

Natyrisht që jo.

Sepse në këtë debat më i rëndësishëm se fati tragjik i 2000 të ardhurve në Tiranë, që po i nxjerrin përdhunshëm nga shtëpitë, është grabitja 40 milionë euroshe që po i bëhet të gjithë shqiptarëve së bashku.

Njësoj si rruga e kombit apo si teatri, Unaza e re është një histori vjedhjeje.

Ajo është historia e një projekti që i’u “dhurua” qeverisë nga një kompani (Victoria Invest) që më pas fitoi ¼ e milionave të akorduara. Ajo është historia e pranimit pa kontestime të këtij projekti, pa i llogaritur kostot, pa oponencë dhe pa bërë konsultime publike. Ajo është historia e një tenderi të paracaktuar, ku një tjetër kompani, Vëllezërit Hysa u paraqit në mënyrë fiktive në garë, sa për ta bërë atë të vlefshme, po pa dorëzuar fare ofertë.

Mjaftojnë këto, edhe pa hyrë në llogaritë e kostove të çmendura, 20 milionë për KM rrugë, për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një skemë grabitqare. Me një vjedhje që i kapërcen kufinjtë e imagjinatës.

Sado e dhimbshme njerëzisht, e padrejtë ligjërisht dhe harbute politikisht të jetë ajo që po i ndodh banorëve, kjo tragjedi nuk mund të shndërrohet në kryefjalën e aferës “Unaza e re”. Fatkeqësisht viktimat e saj janë vetëm efekti kolateral i një grabitjeje që po u bëhet 3 milionë shqiptareve. Prandaj ata mund të falenderohen se shërbyen si lakmuesi që bënë të duket ky skandal, por protesta kundër tij, tani nuk mund të fokusohet vetëm tek halli i 317 shtëpive (Sepse edhe po të imagjinojmë se ai zgjidhet, vjedhja mbetet). Më shumëse po tyre, ajo duhet fokusuar kundër hajdutëve.