Pse ndihemi gjithnjë të lodhur në punë? 5 zakone të këqija të cilat nuk i vëmë re

31

Pse ndiheni gjithnjë të lodhur? Shpesh arsyeja jemi vetë ne – gjërat që bëjmë çdo ditë pa i menduar, zakonet që janë bërë pjesë e pandashme e rutinës sonë, të cilat ndikojnë negativisht në rendimentin tonë në punë, te forma fizike madje edhe te humori ynë. Nuk bëhet fjalë vetëm se hamë keq, bëjmë pak lëvizje apo flemë pak – janë shumë detaje të tjera të vogla që përbëjnë ditët tona.

Këtu janë disa që mund të shpjegojnë se pse ndiheni gjithnjë të lodhur.

Punoni në një vend të çrregullt

Marie Kondo na ka mësuar se bota rreth nesh është pasqyra e asaj që është brenda nesh: rregulli nuk është vetëm funksional për të jetuar në shtëpi, por për mirëqenien e mendjes sonë. Ky është një detaj që shpesh e harrojmë veçanërisht në kohërat e smart working, kur apartamenti dhe zyra janë gjithçka. Pikërisht tryeza duhet të jetë vendi i parë të cilit duhet t’i kushtoni vëmendje, pasi këtu kaloni pjesën më të madhe të kohës.

Një studim i Universitetit të Princeton zbuloi se një tryezë kaotike shkakton shpërqendrim dhe kufizon aftësinë e trurit për të përpunuar informacione, për këtë arsye duhet më shumë kohë për të kryer detyrat e thjeshta. Zgjidhja është që t’i kushtoni pesë minuta të ditës së punës për të vënë çdo gjë në vendin e saj. Më mirë akoma do të ishte në mbrëmje, për të gjetur gjithçka në rregull ditën tjetër. Një këshillë tjetër është që të rregulloni edhe materialet e hapur në kompjuter – ato krijojnë vetëm lodhje mendore, duke e bërë trurin tonë të besojë se ka më shumë gjëra për të bërë.

Nuk merrni frymë siç duhet

Të zënë nga puna dhe nga angazhimet, ne marrim frymë në mënyrë sipërfaqësore, duke i mbushur mushkëritë vetëm në një masë të vogël me ajër, duke i privuar vetes energji të çmuar dhe për më shumë punojmë duke i lodhur muskujt e shpatullave dhe kraharorit. Për këtë arsye, të paktën gjatë pushimeve të vogla, duhet të kujtohemi për diafragmën – merrni frymë duke mbushur me ajër barkun dhe zbrazeni atë duke e nxjerrë. Në këtë mënyrë, sasia e oksigjenit që hyn në gjak trefishohet, energjitë rriten dhe shpina ju falënderon.

Pini pak ujë

Ne e lidhim shpesh konsumin e ujit me formën fizike, por kjo nuk është arsyeja e vetme se pse duhet të pini ujë (ose ta merrni atë nëpërmjet ushqimit) të paktën dy litra në ditë. Uji ju ndihmon të ndiheni më pak të lodhur. Këtë e ka vërtetuar edhe një studim i Universitetit të Kalifornisë te dy grupe vullnetare – i pari shumë i hidratuar (2 litra) dhe i dyti, pak i hidratuar (1.2 litra). Të parët shfaqën humor më të mirë, se nuk vuanin nga përgjumja dhe ishin më shumë produktivë.

Ndërprerja vazhdimisht e fluksit të punës

Ka telefonata të cilave duhet t’u përgjigjeni me çdo kusht, por janë edhe ato më pak të rëndësishme, duke mos përmendur njoftimet e chat-eve dhe rrjeteve sociale. Të gjitha janë shpërqendrime për trurin tonë, i cili në këtë mënyrë ngarkohet, bëhet konfuz dhe kërkon më shumë kohë për të përfunduar detyrat. Çfarë të bëni? Një ide e thjeshtë, por efikase për ta përmirësuar, mund të jetë bllokimi i njoftimeve në smartphone dhe përqendrimi tek ato më të nevojshme – email-e dhe chat-e pune që ju vijnë në kompjuter.

Nuk dilni nga shtëpia

Kemi nevojë për diell dhe të kushtojë sa të kushtojë, edhe nëse vijoni të punoni nga shtëpia – çdo ditë duhet të gjeni mënyrën për të bërë një shëtitje, që trupi të marrë vitaminën D. Ajo është shumë e dobishme për shëndetin e kockave, por ruan në ekuilibër edhe sistemin nervor dhe ndihmon në rregullimin e ritmeve cirkardiane, dhe si rezultat të ndihemi më pak të lodhur./monitor.al/