Ballina OPINION Pse fajësojmë Ligjin dhe harrojmë pedagogët e paaftë?

Pse fajësojmë Ligjin dhe harrojmë pedagogët e paaftë?

nga Fatos Tarifa

Sa thellë ka bërë vend e keqja në Shqipëri! Në një vend ku kemi kaq pak njerëz vërtet të ditur dhe ku mungojnë dijetarët e vërtetë, kemi kaq shumë doktorë shkencash dhe profesorë! Unë nuk di ndonjë industri tjetër, përveç industrisë së filmit në Hollywood, që të ketë prodhuar më shumë “yje” apo “talente” sesa universitetet tona. Shumë prej tyre, pedagogë në universitetet publike, flasin këto kohë, thuajse çdo mbrëmje, në studiot televizive, duke dhënë këshilla për problemet e arsimit universitar dhe duke kërkuar me shumë zell abrogimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë. Por askush prej tyre nuk thotë pse, askush nuk bën analiza dhe nuk sjell ndonjë argument racional që të motivojë një proces politik për anulimin e këtij ligji në parlament dhe miratimin e një ligji të ri, për të cilin, gjithashtu, askush nuk thotë se si duhet të jetë.

Thjesht kërkohet që ligji të abrogohet, in toto, pasi, siç shkruante këto ditë Artan Fuga, i zemëruari i përhershëm me çdo qeveri që nuk ia çmon kapacitetet e rralla intelektuale, nuk ia dëgjon këshillat ose nuk i bën favore, “të gjitha nenet” e Ligjit për Arsimin e Lartë “janë të papërshtatshëm” dhe, prandaj, “nyja e të gjitha problemeve që janë akumuluar në sistemin e arsimit të lartë është fatkeqësisht vetë ligji për arsimin e lartë”.

* * *

Nuk kam dyshim se Fuga e ka lexuar dhe e njeh Ligjin për Arsimin e Lartë. Ai, madje, e ka kundërshtuar atë qysh në zanafillë, kur ky ligj ishte ende një projekt, edhe pse për arsye që nuk kishin të bënin me meritat e ligjit. Habinë më të madhe tek unë sot e shkaktojnë jo Fuga, por ata studentë e pedagogë, që abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë e kërkojnë pa marrë kurrë mundimin ta lexojnë atë nga kreu në fund dhe, prandaj, nuk e njohin thelbin e këtij ligji dhe ato që mund t’i quanim “nuts and bolts” të tij.

Jo rrallë ndeshemi me njerëz që kanë opinione të forta dhe flasin me siguri të plotë për gjëra që nuk i dinë aspak, ose që i njohin apo i kuptojnë pak. I tillë është edhe rasti i përsëritur i këtyre javëve të fundit, kur Ligjit për Arsimin e Lartë i janë turrur të zemëruar jo studentët e universiteteve publike, pasi këta nuk kërkojnë abrogimin e atij ligji në asnjë prej tetë kërkesave të tyre të drejta, por njëqind a dyqind pedagogë—gjithnjë të njëjtët njëqind a dyqind pedagogë—firmëtarë peticionesh, në dy apo tre fakultete të Universitetit të Tiranës. Një prej tyre, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Tiranës, mendjelehtësisht pohonte pak ditë më parë, në studion e televizionit Ora News, se “Ligji për Arsimin e Lartë ka rënë”!

Boom!

* * *

Pasi e dëgjova narrativën e kësaj pedagogeje dhe nuk kuptova asgjë prej saj, e pyeta, në një komunikim me të në Linkedin se “ç’do të thotë që Ligji për Arsimin e Lartë ka rënë dhesi bie një ligj?” Përvoja dhe arsyeja më thonë se, në një shtet ligjor, ligjet zbatohen. Është një e vërtetë e pakëndshme—dhe shumë shqetësuese—që qeveria shqiptare ende nuk ka nxjerrë shumë prej akteve nënligjorë që parashikon Ligji për Arsimin e Lartë, të cilat do të bënin të mundur implementimin e tij. Ky është një defekt i madh në punën e kësaj qeverie, për të cilin ajo duhet kritikuar rëndë e duhet të mbajë përgjegjësi. Por kjo nuk do të thotë aspak se “të gjitha nenet e ligjit janë të papërshtatshëm” dhe se, prandaj, ky ligj është i keq, ose “ka rënë”.

I papërsosur po, por jo një ligj i keq. Në fund të fundit, ligje të përsosur as ka pasur ndonjëherë dhe as mund të ketë. Çdo ligj, edhe ai më i miri, ka mangësitë dhe kufizimet e veta. Sidoqoftë, problemet serioze që janë vënë re deri më sot në praktikën e menaxhimit të universiteteve publikë e bëjnë të arsyeshëm e të domosdoshëm amendimin e pjesshëm të Ligjit për Arsimin e Lartë, por jo abrogimin e tij. Kërkesa për anulimin e këtij ligji sot do të ishte një ftesë për amulli të plotë, për më shumë korrupsion dhe shpërdorime të financave publike dhe një ogur i keq për brezin e sotëm të studentëve tanë. Ligji ekzistues mund të përmirësohet duke u amenduar pjesërisht. Si çdo ligj tjetër, ai ky nuk mund të jetë veçse elastik, që t’u përshtatet kushteve, rrethanave dhe nevojave të kohës. Një ndër aksiomat më të njohura në jurisprudencën ndërkombëtare është ajo se “ligji duhet të jetë i qëndrueshëm, por edhe s’duhet të mbetet e i pandryshuar”. Madje, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz mbi karakterin konservator të Kushtetutës amerikane, Woodrow Wilson, në atë kohë President i Universitetit të Princetonit, shkruante, më 1904, se Kushtetuta nuk u bë që të na rrijë si një “xhaketë e ngushtë” dhe se “madhështia e saj qëndron në elasticitetin e saj”.

* * *

Pedagogia e sipërpërmendur, që shpalli publikisht në Ora News “rënien” ose falimentimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, më dhe këtë përgjigje për pyetjen që i bëra: “Ç’do të thotë që Ligji për Arsimin e Lartë ka rënë”:

“Profesor i nderuar, që një ligj të konsiderohet rezultativ, pikë së pari ai duhet të pranohet nga shumica e zbatuesve. Për ligjin në fjalë, universitetet publikë kanë prodhuar qindra faqe komente e sugjerime kur ishte [ende një] projekt (një version qysh në vitin 2008) e deri [vonë] ndërsa vinin VKM e udhëzime…”.

Pedagogia në fjalë ka gradën “Doktor”, por argumentet që sjell ajo nuk kamë peshën logjike e intelektuale që normalisht do të duhej ta justifikonin këtë gradë shkencore. Ligji për Arsimin e Lartë, i cili u përgatit nga qeveria socialiste dhe u miratua në korrikun e vitit 2015, nuk ekzistonte në asnjë lloj drafti në vitin 2008, kur qeveria e vendit drejtohej nga Partia Demokratike. Le të themi se ky është thjesht një lapsus. Ajo që kjo pedagoge duket se nuk e ka të qartë është se, që një ligj të miratohet, kërkohet shumica e thjeshtë, ose e cilësuar e atyre që janë zgjedhur të jenë ligjvënësit e një vendi. Ndërsa, që një ligj të jetë efektiv, ose “rezultativ”, nëse përdor shprehjen e saj, kjo nuk përcaktohet nga opinionet, dëshirat, ose humoret e një numri qoftë edhe të konsiderueshëm pedagogësh të vetcilësuar “shumicë”. Njëqind apo dyqind pedagogë të Universitetit të Tiranës—mes tyre edhe shumë pedagogë frikshmërisht mediokër, militantë partish, ose njerëz personalisht të pakënaqur me qeverinë që drejton vendin aktualisht—nuk përbëjnë shumicën e profesoratit apo të klasës së pedagogëve shqiptarë. Atëherë, pse dhe për kë ka rënë Ligji për Arsimin e Lartë? Kësaj pyetjeje as pedagogia në fjalë dhe asnjë prej kolegëve të saj “të rebeluar” nuk i kanë dhënë e nuk i japin dot përgjigje.

* * *

Mua, siç do të duhej të ndodhte edhe me pjesën më të kualifikuar të pedagogëve shqiptarë, më tremb medikroteti kolosal që gëlon në universitetet tona dhe, për këtë, fajin nuk e ka ligji i ri për arsimin e lartë. Ky ligj, përkundrazi, është një përpjekje (fatkeqësisht jo e plotë dhe e vendosur) për t’i dhënë fund asaj babëzie që ka ndodhur deri dje në universitetet tanë publikë, të cilët, për vite me radhë,ishin bërë strehë për gjithfarë njerëzish të paditur e të korruptuar. Disa prej këtyre të fundit janë ndër ata që sot firmosin peticione për abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Sikofantë alla Uriah Heep të përjetshëm!

Kolegia ime më sugjeroi edhe një “argument” tjetër. Sipas saj, fakti që, edhe sot, për çështjen e arsimit të lartë dhe të ligjit që e rregullon këtë sektor flasin vetëm pedagogët e universiteteve publikë dhe jo ata të universiteteve privatë, flet “qartazi se filozofia e [këtij ligji] ka synuar arsimin e lartë si shërbim (kërkese/ofertë), ndërsa unë dhe shumë si unë”, shprehet ajo, “e duam arsimin e lartë si një të mirë kombëtare që, veç të tjerash,të mundësojë [krijimin] e elitave cilësore për zhvillimin e vendit”.

E siguroj kolegen time në Universitetin e Tiranës, që dikur ka qenë studentja ime në atë universitet, se mua, gjithashtu, madje më shumë se asaj, më dhimbsen cilësia e arsimit të lartë në vendin tonë dhe cilësia e përgatitjes akademike e profesionale të studentëve tanë. Kjo është arsyeja që, ndërsa ajo dhe shumë të tjerë flasin për abrogimin e ligjit, unë flas për cilësinë e formimit të pedagogëve në universitetet tona dhe për cilësinë e njohurive që ata u ofrojnë studentëve tanë sot, në shekullit e 21-të.

* * *

Sa keq komprometohet ky qëllim i mirë i koleges sime—që shpreh edhe dëshirën time dhe që, si kudo në botë, është një qëllim i përbashkët edhe i universiteteve privatë, që gjithashtu i shërbejnë së mirës publike—në dritën e një morie faktesh të shëmtuar që janë zbuluar kohët e fundit në Universitetin e Tiranës dhe në disa prej universitete të tjerë publikë të vendit.

Nuk do të ishte e nevojshme t’i përmendja koleges në fjalë emrin e pedagogut më të fundit që u zbulua se ka bërë plagjiaturë në tezën e tij të doktoratës, pasi ky person është kolegu i saj, në të njëjtin Departament të Filozofisë me të, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Tiranës. Por, kur pashë dhe dëgjova këto ditë një video, në të cilën ky pedagog, Ferit Baça, është filmuar duke u dhënë studentëve të tij në auditor një leksion idiot mbi “teorinë e konfliktit”, një ndër teoritë makro-sociale më të rëndësishme, vura duart në kokë. Një injorancë totale, apokaliptike, dhe një palaçollëk i shkallës më të lartë, nga një “doktor shkencash” i Universitetit të Tiranës. Një “filozof” klloun, i padenjë për të dhënë mësim edhe në një shkollë 9-vjeçare, që i vë në një pozitë të vështirë kolegët e tij të të njëjtit departament dhe fakultet.

Si është e mundur, pyes veten, që kolegët e tij të të njëjtit departament dhe fakultet t’i kenë dhënë një pedagogu si ai gradën “doktor”?! Dhe jam i bindur se Ferit Baça nuk është i vetmi, por një ndër shumë të tjerë që, si ai, janë bërë doktorë shkencash e profesorë në universitetet tona publike jo për shkak të Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe jo pas miratimit të këtij ligji, por para se ai të hynte në fuqi. Injoranca e shumë pedagogëve me të cilën përballen studentët e universiteteve tona publike (por edhe ata të shumë universiteteve privatë) është e frikshme dhe dalja prej saj është gati-gati e pashpresë, pasi injoranca mëkon vetveten dhe injorantët mbajnë në këmbë të ngjashmit e tyre.

Emrin e këtij pedagogu plagjiator nuk e pashë ndër firmëtarët e një peticioni, me të cilin, pedagogët e tjerë të atij Fakulteti kërkonin disa ditë më parë abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Ai emër duket se i komprometon keqazi kolegët e tij. Ose, ndoshta, ai person nuk është më pedagog në atë fakultet. Por, në listën e firmëtarëve të atij peticioni dallova emrin e një tjetër pedagogu të atij fakulteti, Gjergj Sinani, që sot mban titullin “Profesor” i filozofisë, por që, 25 vite më parë, në vitin 1993, është shpallur zyrtarisht nga një komision ekspertësh ndërkombëtarë, si “i paaftë për të vazhduar punën akademike në arsimin e lartë, të paktën në fushën e filozofisë apo të sociologjisë”.Një pedagog i paaftë 25 vite më parë, mendo se sa i paaftë duhet të jetë sot, një çerek shekulli më pas, kur dihet se njohuritë tona shkencore dyfishohen në çdo tre-katër vite.

Në asnjë mënyrë nuk i përgjithësoj rastet në fjalë. Unë njoh disa pedagogë në atë fakultet që janë vërtet të aftë e të denjë për misionin e tyre, por ja që Baça dhe Sinani kanë qenë e janë mes tyre, për më tepër kundërshtarë vokalë të Ligjit për Arsimin e Lartë që kërkojnë abrogimin e tij. A mundet vallë që studentët t’u shkojnë pas njerëzve të tillë? A nuk janë pedagogë si këta një fatkeqësi e vërtetë për shkollën tonë të lartë, për studentët që humbasin vitet më rëndësishëm të formimit të tyre dhe për prindërit që financojnë një pjesë të studimeve të tyre?

E pra, ku është këtu faji i Ligjit për Arsimin e Lartë? Sinani ka qenë i paaftë një çerek shekulli më parë, ndërsa Baça dhe shumë të tjerë si ai janë bërë “doktorë shkencash” para se të miratohej ky ligj.

Mustafa Nano më pyeti këto ditë, në emisionin e tij “Provokacija”, se ç’përqindje zënë pedagogët e paaftë në universitetet tona? Iu përgjigja se nuk mund ta di me saktësi numrin e tyre dhe nuk dua të spekuloj, por,me aq sa e njoh jetën akademike të vendit në këta dhjetë vitet e fundit, kam bindjen se numri i pedagogëve të tillë është i madh, ndërsa padituria e tyre e frikshme. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë botuar kurrë ndonjë libër a studim të mirëfilltë akademik, veç ndonjë teksti surrogat, të kopjuar ose përkthyer keq, që ua shesin me detyrim studentëve të tyre. Pedagogë të tillë mund të rrinë me muaj të tërë pa lexuar një libër të ri;shumë prej tyre nuk dinë të thonë e të shkruajnë një fjalë anglisht dhe, ndoshta, janë më pak të ditur sesa studentët më të mirë që ulen në auditoret e tyre.

* * *

Unë habitem se sa shumë anatemohet Ligji për Arsimin e Lartë dhe si ai konsiderohet pa të drejtë si shkaku i gjendjes së mjeruar të universiteteve tona dhe i pakënaqësisë e protestave masive të studentëve këto javët e fundit.

Le të mos bëjmë përgjegjës për gjendjen e mjeruar të universiteteve tona Ligjin për Arsimin e Lartë, i miratuar vetëm tre vite më parë, kur të gjithë e dimë se arsimi i lartë dhe një pjesë e madhe e pedagogëve që japin mësim në universitetet shqiptarë nuk u katandisën në këtë gjendje në këta tre vitet e fundit. Unë këtë do e quaja një interpretim negativ.

Legjionet e pedagogëve të paaftë e të korruptuar, shumë prej të cilëve hiqen sot sikur u qan zemra për arsimin universitar dhe paturpësisht u dalin në krah studentëve, ose shfaqen në studiot televizive, janë një ndër arsyet kryesore që e ka sjellë në këtë gjendje arsimin e lartë në vendin tonë. Ata janë një e keqe e madhe e këtij sistemi. Pedagogë të tillë, shumë prej të cilëve përpiqen ta fshehin paaftësinë apo injorancën e tyre përmes mbështetjes që thonë se u japin protestave të drejta të studentëve, nuk mundet t’i mashtrojnë dot këta të fundit. Studentët, më mirë se kushdo tjetër, më mirë edhe se vetëkomisionet që u japin pedagogëve grada e tituj shkencorë, i njohin dhe dinë t’i dallojnë pedagogët e aftë e të përkushtuar, nga ata që autoritarizmin e tyre përpiqen ta shesin si autoritet akademik dhe demagogjinë si mbështetje për kauzën e studentëve.

Përvoja e tri dekadave e gjysmë në arsimin e lartë më kanë bërë të kuptoj më mirë se gjithçka tjetër këtë të vërtetë: Të jesh një mësues në universitet do të thotë jo vetëm të ndash me studentët e tu interesimet dhe shqetësimet e tyre, por edhe të pranosh barrën e besimit të tyre.

* * *

Ajo që kërkojnë një grup i vogël pedagogësh të Universitetit të Tiranës me peticionet e tyre—abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë—nuk ka të bëjë aspak me kërkesat e drejta që kanë artikuluar vetë studentët në protestat e tyre të javëve të fundit. Asnjë nga kërkesat e studentëve nuk kërkon abrogimin e këtij ligji, pavarësisht pretendimeve të Artan Fugës se “problemet e studentëve do të zgjidhen duke vajtur te rrënjët e së keqes”,te ajo e keqe që, sipas tij, është vetë Ligji për Arsimin e Lartë.

Fuga, i cili që i jep kryeministrit të vendit një “leksion sociologjik” duke e iluminuar atë se, “në sociologji, kur dukuria përsëritet nga një rast te tjetri, thuhet se problemi nuk janë individët, por mekanizmi i përbashkët që vepron, pra sistemi i menaxhimit të papërgjegjshëm, jo legjitim, jokompetent…i universiteteve publike shqiptare”,bën një gabim sociologjik trashanik kur shprehet, se “nuk ka pasur asnjë pedagog që të mos ketë qenë në konflikt interesi dhe ta ketë quajtur këtë ligj si të drejtë dhe pozitiv. Asnjë!”.

Pa dashur, ose qëllimisht, Fuga harron se, të absolutizosh pikëpamjen tënde është tërësisht antisociologjike, pasi, një konsensus absolut as ka ekzistuar ndonjëherë, as është i mundur; madje, siç ka argumentuar kohë më parë Reinhard Bendix, nuk është as i domosdoshëm. Por kjo ka pak rëndësi. Njeriu edhe mund të mos shohë dot përtej hundës së vet. Argumentet janë më të rëndësishëm.

Në analizën që i bën problemit të menaxhimit të universiteteve publikë, Artan Fuga, edhe pse me të drejtë vë në dukje shumë mangësi dhe shkelje e shpërdorime të fondeve publike nga bordet e administrimit, dëshmon një mungesë të theksuar njohurish për atë se si operojnë bordet që administrojnë financimin dhe politikat zhvillimore të universiteteve publikë në njëpjesë të madhetë vendeve perëndimore. Sipas tij, universitetet publikë nuk mund të menaxhohen nga borde administrimi që funksionojnë “me kohë të pjesëshme” kur, në fakt, në të gjithë universitetet publikë në Shtetet e Bashkuara, Bordet e të Besuarve (Boards of Trustees), ose Bordet e Regjentëve (Board of Regents) apo Bordet e Mbikqyerësve (Boards of Overseers), siç variojnë emrat e bordeve të tillë nga një universitet në tjetrin, funksionojnë jo me kohë të plotë.

Kjo pasaktësi, sidoqoftë, nuk përbën mangësinë më serioze në morinë e “argumenteve” të tij, edhe pse ajo është një premise e gabuar. Fuga ka shumë të drejtë kur vë në dukje paaftësinë dhe abuzimet e bordeve të administrimit në këtë periudhë të shkurtër që nga krijimi i tyre, si dhe dëmin e madh që këta borde, të mbushur me individë të papërshtatshëm e të papërgjegjshëm, u kanë sjellë universiteteve publikë deri më sot. Unë bashkohem me të dhe me të gjithë ata që shqetësohen për këtë çështje. Kur, pak ditë më parë, mësova nga Top Chanel emrat e anëtarëve të Bordeve të Administrimit të disa prej universiteteve publikë në Tiranë, u habita dhe u shqetësova pa masë, pa aq sa jam habitur e shqetësuar nga shpërdorimet masive që këta bordeve u kanë bërë fondeve publike të këtyre institucioneve. Por, ndryshe nga Fuga, unë nuk e shoh të keqen te sistemi i menaxhimit të institucioneve të arsimit të lartë, por te papërgjegjshmëria e anëtarëve të këtyre bordeve dhe te veprimtaria e tyre, e cila është jo thjesht e kritikueshme, por, në shumë raste, e dënueshme.

Keqfunksionimi i Bordeve të Administrimit dhe keqmenaxhimi prej tyre i fondeve publike nuk do të thotë se faji është i sistemit dhe se duhet hequr dorë nga këto borde. Kjo do të ishte njëlloj si të thoje se, meqenëse qeveria e një vendi është e përbërë nga njerëz të paaftë dhe nuk drejton mirë, vendi mund të bëjë edhe pa qeveri, në vend që të kërkojmë të kemi një qeveri më të mirë dhe të kërkojmë prej saj të punojë mirë, duke u shërbyer interesave kombëtare dhe atyre publike