Ballina OPINION Pse duhet ndryshuar ligji për arsimin e lartë

Pse duhet ndryshuar ligji për arsimin e lartë

Nga Koço Broka

Çështja dhe kërkesat e studentëve, kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Kjo jo vetëm se janë bijat dhe bijtë tanë, por dhe për faktin se kërkesat e tyre, lidhen direkt dhe indirekt me fije të ndryshme, përfshirë ato fiskale e ato monetare me ato të gjithë të tjerëve. Është çështje parash,  buxheti, ekonomie. Ky aspekt do zinte një v

end jo të vogël në takimet e Kryeministrit Edi Rama me studentët, i cili midis të tjerash do tu tërhiqte me të drejtë vëmendjen: – “Pika e parë thotë përgjysmim i tarifave. Dakord, por kjo do diskutim. Pse duhet taksapaguesit… Se tarifat njëherë nuk është çështja se hiqen, tarifat janë pjesë e kostos. Koston e bën universiteti dhe thotë, një student na kushton kaq dhe duhet ta dini që qeveria paguan mesatarisht për të gjithë studentët, sot që flasim, 75% të tarifës tuaj. Ajo që paguani ju është 25% mesatarisht. Ka një universitet si Mjekësia që paguan më shumë studenti, por absolutisht asnjë student në Republikën e Shqipërisë nuk paguan më shumë se 50% të tarifës sa është kostoja. Këtu bëhet fjalë për të përgjysmuar 25%-shin. Si do t’u themi ne mësuesve, mjekëve, infermiereve, punonjësve të policisë, kamerierëve, sipërmarrësve të vegjël, që nga taksat tuaja, ne do paguajmë tarifat e atyre që marrin 4-ra në universitet?

Pra cilat janë kostot qoftë të  pikës së parë të kërkesave të studentëve, kush do i paguajë dhe kur do të realizohen ato?! Cila është kostoja e rritjes të shpenzimeve për arsim në 5% të PBB-së!? Cila është kostoja e kërkesës për përgjysmimin e tarifave të studimit të universiteteve publike? Cilat janë tarifat që paguajnë studentët e prindërit shqiptarë të tyre  në universitet privatë brenda vendit, dhe në universitetet private dhe publikë jashtë vendit!? Këta të fundit nuk përfitojnë subvencione për tarifat por ndërkohë paguajnë tatim -taksa. Të tjerë janë në gjendje të vështirë ekonomike. Në këto kushte këto e pyetje të tjera presin të marrin përgjigje jo thjesht për kureshtje. Vetë studentët kërkojnë nga ana e tyre, në kërkesat e tjera transparencën e shpenzimeve…

Disa prej informacioneve janë publike e mund të gjenden lehtësisht. Psh, tek Programi buxhetor afatmesëm 2019-2021, kushdo mund të shohë se shpenzimet për arësim janë parashikuar në terma relative 3.3% të PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto) në vitin 2019, dhe  3% të PBB në vitet 2020 dhe 2021. Ndërsa në terma absolute, këtyre të fundit u korrespondon një nivel prej 60 miliard lekë. Kjo do të thotë se me kushte të tjera të pandryshueshme, realizmi i kërkesës të studentëve për të rritur shpenzimet për arsim në 5 % të PBB, do të kërkontë një nivel shpenzimesh prej 100 miliard lekë ose mund të realizohet në se vihen në dispozicion të arsimit  40 miliard lek të tjera shtesë. A është e përballueshme dhe e mundshme kjo shtesë nga buxheti, përveç ndryshimit të prioritetit të shpenzimeve, nga ato që janë parashikuar në këtë program e kuadrin makroekonomik për periudhën 2019-2021!?

Duke ruajtur të njëjtin raport të të ardhurave buxhetore në përqindje të PBB, si parashikon programi buxhetor afatmesëm – rezulton se në vitin 2021 është parashikuar  që ato të arrijnë  562,892 milion lekë ose  mbi 132.5 miliard  lekë më shumë se sa fakti i të ardhurave buxhetore në vitin 2017. Pra është parashikuar një shtesë  në përmasa jo të vogla përsa u përket shtesës  të të ardhurave gjithësej, që teorikisht do të thotë se me këto ritme krijohen mundësi për ndryshime prioritetsh. Në se Qeveria ka mundësi të realizojë këtë shtesë të të ardhurave të buxhetit,  A  do të ndryshojë prioritetet e saj për tiu përgjigjur kërkesës të studentëve, deri në fund të mandatit të saj të dytë, për të mbajtur premtimin elektoral të vitit 2013, aq më tepër që Kryeministri  i vlerëson këto kërkesa të drejta?!

Prindërit shqiptarë me financimet e studentëve jashtë shtetit, pavarësisht nga tarifat jo të vogla, kanë vlerësuar e kanë dëshmuar në fakt prioritetin ndaj arësimit cilësor. Por kjo nuk është vetëm përparësi e prindërve me të ardhura të larta apo të mesme. Familjet shqiptare janë  angazhuar si rrallë  kush në  Europë  e pse jo dhe në  botë , duke u dhënë  përparësi shpenzimeve për arësim, për të studiuar fëmijët sipas mundësisë  qoftë  jashtë  vendit, qoftë brenda tij.  Mesazhi i protestës dhe studentëve dhe evoluimi e trajektorja  kërkesat e tyre, duke mos u kufizuar në tarifat  studimore, flasin për një përparësi reale që i duhet dhënë  arsimit cilësor, si hallka kryesore, për tu dhënë  zgjidhje problemeve të shumta në vendin tonë,  për rritjen e aftësive konkurruese të  biznesit e  ekonomisë  sonë në tregun ndërkombëtar.

Me paktin, projektin fillestar të ofruar studentëvë deri tani, Qeveria apo Kryeministri z. Edi Rama, lidhur me kërkesën e parë të studentëve, në fakt është jufizuar vetëm në çështjen e tarifave dhe jo në përparësinë e arsimit cilësor. Në pikën 1, të kërkesave të studentëve shkruhet“1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt. “ Ndërsa  Pakti për Universitetin’ si do ta mbështesë qeveria arsimin, lidhur me pikën nr 1 ndalet kryesisht për të mos thënë vetëm, në tarifat dhe modalitetit e realizimit të tij se  “Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim.” nga mesatarisht 75 % që realizohen sot.”

Në se një kërkesë tjetër e protestës është  është “Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.”, sipas sipas Paktit për Universitetin duke parashikuar ”, Të nisë vlerësimi i performancës për çdo IAL në vend, ku elementët kyç do të jenë:- Sondazhi Kombëtar i Studentëve për çdo pedagog, program mësimor; departament e fakultet;- Vlerësimi i Produktit Kërkimor për çdo department, fakultet dhe IAL;

– Vlerësimi i jashtëm i cilësisë, në përputhje me ”Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”.

Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019” A do të reflektojë më tej Qeveria?!

Si prind i jam përmbajtur përparësisë të shpenzimeve për arsimin cilësor, përfshi sakrificat e privimet  që presupozon ajo, për familjen qoftë në kushtet e të ardhurave  të mesme. I bindur edhe nga kjo praktikë, pa nënvleftësuar qoftë sakrifikimet që kërkohen, pa e semplifikuar atë  në disa ndryshime aritmetikore, si ekonomist, kam ndarë e ndaj të njëjtin qëndrim me atë grup ekonomistësh që e konsiderojnë shpalljen e konsiderimin e arsimin cilësor edhe në vendin tonë si përparësi të përparësive. Vetëm kjo mundëson rritjen e aftësive konkurruese të  biznesit e  ekonomisë  sonë e krijon e hapësira për punësim produktiv të studentëve të sotëm e të ardhshëm. Si e tillë, por edhe si reflektim e kërkesave të protestës,  kjo përparësi është e nevojshme  të gjejë mishërimin e vet konkret edhe në programin buxhetor afatmesëm 2019-2022, që miratohet nga Qeveria, në Janarin e 2019, që fillon javën tjetër. Natyrisht kjo nuk është gjë e thjeshtë që mund të realizohet automatikisht meqenëse ka qenë premtim elektoral i dy partive kryesore të vendit, për zgjedhjet e vitit 2013 apo 2005. Fakti që shpenzimet buxhetore për arsim mbetën e janë ende larg objektivit të premtuar nga vetë ato, flet gjithësi se është një çështje që nuk mund të realizohet lehtë. Ndërkohë ndryshimet sasiore në letra e programe nuk janë gjithçka. Kryesorja është në se përveç fondeve të vëna në dispozicion ky proces të shoqërohet nga ndryshimi dhe rritje cilësore e arsimit e sidomos  atij të shkollave të larta, universiteteve, që nuk duhet kufizuar vetëm në të menduarit kritik por edhe atë krijues, për ti përvetësuar e zbatuar dijet më bashkëkohore, në tregun e vogël të ekonomisë sonë, në një botë globale që ndryshon me shpejtës. Kjo në vetvete nuk është  vetëm çështje e Qeverisë.

Ndërkohë është ende e mjegullt, gati kaotike jo vetëm për studentet por më  gjërë,  çështja se në vendin tonë paga, është e nënpaguar (dhe mund të ngrihet lehtësisht, mjafton një akt i Kryeministrit dhe pagat të shkojnë sa thotë BERZH) apo produktiviteti i punës është realisht i ulët, shumë më i ulët se ai i vendeve aqë  iu referohemi,  kur është fjala për kushtet dhe të  ardhurat?! Pushtetarë e politkëbërës  nuk shohin ose nuk duan të shohin, ndërkohë se paga e ulët  sot nuk përbën më një avantazh konkurrues në tryezën  globale të konkurrencës. Në kushtet kur bota ka hyrë në revolucionin e katërt industria, ajo është zëvendësuar prej kohësh nga dija dhe jo thjesht diploma, por nga një dije dhe aftësi, që nuk mungon e është e gatëshme të përballet me statukuonë qerthullin e ekonomisë të mbështetur ende në remitanca e  borxh të stërmadh, por që  ka ambicjen dhe angazhimin për ti zhndruar dijet e përftuara në  universitete e shkolla, në spirale zhvillimi për  ekonominë  shqiptare.

Në këtë rafsh nuk mund të mos përshëndetet qëndrimi i kryeministrit Edi Rama kur deklaroi në takimin me studentët e pedagogëte UBT “Një gjë tjetër që po përgatisim është që ministritë që kanë një lidhje direkte me universitetin do të marrin përsipër, me detyrim, që të kujdesen për universitetin përkatës në disa aspekte. Në aspektin e financimit të kërkimeve shkencore për të rritur financimin, që projekte të caktuara ministritë t’ua japin universiteteve. Për praktikat, ministria bashkë me qeverinë të organizojë të gjithë skemën e zhvillimit të praktikave sëbashku me universitetin. Kjo mund të bëhet me biznesin privat.

Ne kemi një problem shumë të madh për fondet e dedikuara të Bashkimit Europian për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Për herë të parë, ne u certifikuam për të marrë fondet e bujqësisë dhe zhvillimit rural të BE. Rreziku është që fondet i kemi aty, por që s’mund t’i thithim sepse sektori, fermerët nuk dinë të bëjnë projekte. AZHBR duhet të bashkëpunojë me ju, që ju t’i bëni projektet dhe ju të merrni një komision nga projektet. Komisioni të jetë publike. Po fitojë projekti, ju fitoni përqindjen tuaj. Nuk është puna, ne po rrimë në auditor, ju sillni lekët. Jo, funksionon kështu!”

30 Janari kur përfundon afati i aplikimeve të fermerëve dhe agrobiznesit për të përftuar grante  nga IPARD II, nga fondet në dispozicion prej disa dhjetra milion euro po afrohet me shpejtësi. Po përthithja e tyre do të bëhet e mundur vetëm në se stafi apo dhe studentët e përgatitur nga UBT, do dëshmojnë se janë  të aftë ti përgjigjen konkretisht kësaj sfide, që nuk është sfidë vetëm e fermerëve agrobiznesit por dhe e Universiteteve. Koha nuk kërkon vetëm transferim të dijeve bashkëkohore, nuk kërkon vetëm punime kërkimore shkencore, për tituj grada e shtesë page, por sidomos aplikimin e tyre në praktikë, qoftë për të përthithur para falas në dispozicion…Europa dhe perëndimi kanë ofruar jo vetëm peshk, por mbi të gjitha si të kapet peshku

Arsimi cilësor apo shpallja e konsiderimi i tij si përparësi e përparësive, nuk është thjesht çështje për tu shkruar në letër në  programet e partive politike apo të kësaj ose asaj qeverie. Ajo është e nevojshme të përqafohet si e tillë nga Senatët, Rekorët, Dekanët pedagogët, vetë studentët e mbarë shoqëria jonë.

Në një shkrim të para 27 vjetësh, kam evidentuar se përparsia e Qeverisë së Koresë së Jugut për të shpallur përparësi, eksportin mori jetë, se biznesi korean prodhoi Samsungun…etj, dhe vetë ky biznes, u parapri e u mbështet nga një arësim cilësor. Se  çdo të thotë kjo, mjafton të kujtohet  se sa rroga mujore i kushtonte një familje shqiptare, blerja e një televizori  në monizëm dhe se ç’pjesë të saj i kushton sot?! Paradoksalisht me këtë rënie drastike të çmimit  të televizorëve, në 2019, familjet e varfra tek ne , duhet të blejnë dekoderin për të vazhduar të shohin televizor. Konsumi moral po vepron fuqishëm.

Arsimin cilësor e kërkon përballimi i sfidave të ekonomisë shoqërisë sonë. Në se fondet grant të BE-së do të përthithen nga fermerët dhe agrobiznesi dhe në sajë të këtij arësimi, është shumë më lehtë dhe e mundur të plotësohen kërkesat e protestës të studentëve, madje në një periudhë më të shkurtër…Në rastin e dhënë është arsimi dhe universitet mund dhe është e nevojshme të bëhen katalizator i ndërsjellë për financimin e punës shkencore. Por kjo natyrisht kërkon që të fillohet pa humbur kohë për zbatimin e premtimeve të kryeministrit z. Rama për të punësuar studentët e mirë në sektorin publik, në AZHBR, apo degët e saj dhe të Ministrisë së bujqësisë, duke shmangur  në të njëtën kohë burokracitë, problemet vështirësitë  jo të vogla me të cilat po ndeshen ata që duan, mendojnë e aspirojnë të aplikojnë për fondet e IPARD II

Por kthyeshmëria e shpenzimeve për të arsimimin e studentëve, si brenda dhe jashtë vendit de fakto ka qenë  ende e vogël këtu në Shqipëri. Pagat në sektorin privat apo të ardhurat e fermerëve janë të vogla dhe nuk garantojnë një kthyeshmëri normale të shpenzimeve të kryera nga studentët që kanë  kryer studimet jo vetëm  jashtë  por edhe brenda vendit.  Kjo nuk lidhet vetëm me faktorë specifikë, faktin se kemi qënë e jemi nga vendet më  të varfër në  Europë, jemi një vend i vogël,  apo se  hymë vonë, në  tryezën e tregut ndërkombëtar konkurrencial ku ishin ulur prej kohësh vendet e përparuara. Kur hymë dhe u ulëm në  këtë tryezë të tregut global konkurrues, para 28 vjetësh, mjaft politikëbërës nuk deshëm të shohin apo ende nuk po shohin se për ti bërë ballë këtij tregu konkurrues, nuk mjafton të kesh burime natyrore e klimë të mrekullueshme si kjo e jona, të  mburreshe se kemi një popullsi në  moshë të re e të  keq paguar, pa sindikata; por kërkohen  burime humane të afta, për të konkurruar në këtë treg ndërkombëtar. Shumë kush e qesëndisi  sentencën , “punë ka por specialistë nuk ka”, megjithatë biznesi i madh e ai i mesëm, vazhdon të kërkojnë specialistë, por zor se i gjejnë gjithmonë ata, pavarësisht nga diplomat që nuk mungojnë. Le të publikohen më 31 Janar se sa është numri i aplikuesve të fermerëve dhe agrobiznesit dhe shuma fondeve që kërkojnë ata të përthithin nga IPARD II, e të krahasohen me fondet në dispozicion. Koha kërkon jo vetëm shatë, për të kërkuar, por edhe lopatë për të dhënë e ofruar nga universitet e pse jo dhe studentët.

Plotësimi i kërkesave të studentëve por edhe realizimi i përparësisë të arsimit cilësor në kushtet kur  shtesa e parashikuar e të ardhurave buxhetore prej  132.5 miliard lekë, në vitin 2021 krahasuar me vitin 2017 të përmendur më sipër, kërkon jo vetëm shpalljen, ruajtjen por dhe dhënien jetë de fakto të prioritetit tjetër në programin buxhetor afatmesëm për Mirëplanifikim i shpenzimeve dhe mireadministrim i të ardhurave me qëllim mbështetjen e një rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme;” Kjo për faktin se ka ende shumë trajtime rozë e fasada por pse jo dhe keq planifikime e parashikime. Për këtë  flet edhe  vendimi më i fundit i Qeverisë të këtyre ditëve Akti normativ Nr2 i datës 19.12.2018, të pasqyruar në tabelën e mëposhtme

Tabela Nr 1

Buxheti dhe akte normative për vitet 2017-2018 (në milion lek)

Buxheti 2017
Akti Normativ Nr 3  6.11.2017 Fakti 2017 Diferenca Fakt me aktin Normativ Buxheti 2018 Akti Normativ Nr 1  26.07.2018 Akti Normativ Nr 2  19.12.2018
TOTALI TE ARDHURAVE 436,401 442,901 430,397 -12,504 464,702 464,703 461,864
TOTALI I SHPENZIMEVE 467,599 474,100 461,410 -12,690 497,069 497,069 494,231
 DEFIÇITI -31,199 31,199 31,012 -187 -32,366 32,366 -32,366
Te ardhurat nga sigurimet shoqerore 70,268 71,868 73,999 2,131 74,656 78,536 78,536
Shpenzime per sigurime shoqerore 117,600 118,600 119,081 481 124,265 123,515 122,515
Stoku i borxhit publik 1 103 025 1 112 189 1,088,095 -24,094 1 135 620 ?
Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

 

Pamvarësisht se jam i prirur t’i besoj deklarimit të kësaj jave të kryeministrit z Edi Rama se “… në kuadrin e një procesi të premtuar reflektimi, që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve, por është në ADN-në tonë dhe është një tjetër shprehje e vetëdijes se çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm,… është një sfidë më vete që të vetëkorrigjohemi në vijim…  Ne do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve, por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi sepse ne e kuptojmë se ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme që janë arritur njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma dhe në këtë aspekt ne kemi shumë për të korrigjuar”; nuk mund të mos e lexoj pa shqetësimet e pyetjet e mëposhtme Aktin Normativ N 2 për buxhetin e vitit 2018.  Nuk mund të mos pyes se, a do të shoqërohet ky reflektim deri në konsiderimin e arsimit cilësor si përparësi e përparësive? Si e kam përmendur, kjo nënkupton që ky reflektime e angazhim  të jetë jo vetëm i Qeverisë, por mbarë shoqërisë  sonë, përfshirë vetë studentët që zhndruan kërkesat fillestare për tarifat në kërkesa  për përmirësimin e Universiteteve dhe arësimit, por tani për tani duke pritur të realizohen, kryesisht nga të tjerët

Vitet e fundit vihet re se buxheti i shtetit po drejtohet  me dhe nëpërmjet   akteve normative. Në vetvete ato nuk janë herezi por një instrument që duke reaguar në kohë me shpejtësi  të karakterizohen edhe nga saktësia. Por çfarë ka ndodhur në fakt?!

Nga të dhënat e tabelës Nr 1, rezulton  se psh Akti Normativ nr 3 i vitit 2017, megjithëse ishte i datës 6 Nëntor, pra më afër mbylljes së vitit,  parashikonte një shtesë të të ardhurave buxhetore jo vetëm ndaj buxhetit fillestar, por edhe ndaj Aktit Normativ nr 2 të  që kish rritur pritshmërinë e të ardhurave në 438.4 miliard, e çoi  atë në  442.9 miliard lekë, por rezultoi në fakt 430.4 miliard lekë, ose 12.5 miliard, në vend të realizimit të përpjetës, pati tatëpjetë.

Për këdo që nuk punon në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, sado njohës i mirë i fushës të fiskut të jetë në Shqipëri, nuk e ka të lehtë të bëjë parashikimet për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore të vitit, përderisa vitet e fundit me Ministrin aktual të Financave, trendet përmbysen në muajin Dhjetor. Mjafton të mbahet parasysh se psh për vitin 2016, si 11 mujor buxheti ishte me sufiçit, dhe në muajin Dhjetor, rezultoi një deficit prej 35.5 miliard lekë që ishte më i madh se sa ai gjithë vitit prej 31 miliard lekë. Pra deficiti i një muaji është më i madh se i 11 muajve. Këtë nuk e përmban asnjë teks e manual fisku, përveç pyetjes si e bëri lopa bajgën në tavan?!

Kjo nuk flet për “Mirëplanifikim i shpenzimeve dhe miradministrim i të ardhurave “ por përkundrazi, kërkon reflektim pavarësisht nga protesta e studentëve . Është e vërtetë që deficiti buxhetor këto vitet e fundit është mbajtur aq sa ka qënë programuar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të ardhurat buxhetore, shpenzimet buxhetore apo borxhin publik. Të ardhurat buxhetore të vitit 2017, të cilat në vetvete kanë qënë të kënaqshme, në vend të rriteshin në fakt ranë krahasuar me buxhetin fillestar ose 12.5 miliard lekë më pak se Akti Normativ nr 3. Çuditërisht kjo nuk është shoqëruar me rritjen e borxhin publik, të parashikuar nga ky akt, i por rezultoi  me -24.1 miliard më pak se ky Akt.

Efekti i pritshëm i qëndrimit rozë të parashikimit të Aktit Normativ nr 3, ishte dhe është riciklimi i detyrimeve të prapambetura. Por ato nuk mund të “zbuloheshin” pa ranë për një periudhë kohe  në fake news, nga gazetarë, vëzhgues e specialistë shqiptarë jashtë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Duhej vetëm ndërhyrja e stafit të FMN-së (jo aq zotësia se sa pyshteti i tyre ndaj qeverisë) që të evidentonte dhe tërhiqte vëmendjen më 20 Nëntor 2018 se:-” Rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016 duhet të trajtohet pa vonesë.Detyrimet e prapambetura, përfshirë ato të pushtetit vendor, çmohen se janë sa 1,5 për qind e PBB-së në fund të muajit shtator 2018. Parandalimi dhe mbajtja e tyre nën kontroll kërkojnë fuqizim të parashikimit të të ardhurave dhe menaxhimit të likuiditetit dhe përmirësim të sistemeve të kontrollit mbi angazhimet, sidomos nga ARRSH-ja. Rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është me rëndësi për të krijuar besim te administrata tatimore dhe te funksionimi i sistemit të TVSH-së.”

I njëjti rrezik për krijimin e riciklimin e detyrimeve të prapambetura ekziston edhe për vitin 2018, me aktin normativ të para disa ditëve. Kjo për argumentet e mëposhtëm. Sipas Aktit Normativ nr 2, datë 19.12.2018, të ardhurat dhe po kaq edhe shpenzimet buxhetore, ulen krahasuar me Aktin nr 1 ose buxhetin fillestar, në masën 2.8 miliard lekë. Megjithatë gjithsesi parashikojnë një rritje jo të vogël në masën e 31.5 miliard lekë, krahasuar me faktin e vitit 2017, me një shtesë më të madhe se shtesa e realizuar në atë vit. Me shtesa e ritme te tilla të tilla nuk ka probleme fiskale për plotësimin e kërkesave të protestës të studentëve, brenda mandatit të dytë.

Ndërkohë po të mbahet parasysh fakti që si 10 mujor të ardhurat buxhetore sipas Ministrisë së Financave kanë patur  një shtesë prej 13.6 miliard lekë, dhe se rritja e importeve në Nëntor ishte minimale krahasuar me vitin e kaluar, realizmi për të dy muajt Nëntor –Dhjetor në masën e 17.9 miliard lekë, shtesë e parashikuar në Aktin Nr 2 është e diskutueshme e mund të thuhet se është e parealizueshme. Në këto rrethana në se ruhet e nuk tejkalohet deficiti buxhetor, do të ketë përsëri riciklim të detyrimeve te prapambetura buxhetore.

Kësaj situate i duhen shtuar dhe disa mangësi në parashikimin e të ardhurave buxhetore që kanë të bëjnë me të ardhurat e shpenzimet nga sigurimet shoqërore që si logjikë dhe gabime llogaritjesh nuk i lejohen asnjë studenti. Kushdo mund të shohë se ndërsa të ardhurat buxhetore në fakt për vitin 2017, u realizuan 73 miliard e 999 milion lekë, ose 2 miliard e 131 milion lek më shumë se sa Akti Normativ nr 3, buxheti fillestar për to për vitin 2018, ishin parashikuar 74 miliard e 656milion lekë  ose vetëm 657 milion krahasuar me faktin e vitit paraardhës. Një rritje e tillë ishte tepër minimale kur shtesa e të ardhurave buxhetore gjithsej për  vitin 2018 ishte parashikuar të shtohej  34.3 miliard lekë  dhe për tremujorin e katërt të vitit paradhës ishin raportuar nivele të  larta punësimi, që kanë efektet e tyre në shtimin e të ardhurave të sigurimeve shoqërore.

Kjo bënte imperative ndryshimin e buxhetit të vitit 2018, sapo dolën rezultatet e vitit 2017.Por në fakt rishikimi i buxhetit të vitit 2018 ,  u shty dhe u realizua  në fund të Korrikut me Aktin Normativ Nr 1, ku ndryshimet kryesore të tij ishin ndryshimi në rritje i të ardhurve nga sigurimet shoqërore, pa ndryshuar të ardhurat buxhetore gjithsej të buxhetit. Ndërkohë megjithëse shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore në buxhetin fillestar  ishte parashikuar  gjithashtu mjaft më e vogël se në vitet paradhëse, dhe nuk mungoi të shpallej pakti i solidaritetit, rritja e bonusit për pensionistet në fund të vitit, si mund të shihet edhe nga të dhënat e tabelës nr 1 me këtë Akt ulen shpenzimet për sigurimet shqërore?! Një ndër risitë e Aktit  Normativ nr 2 është që me gjithë ecurinë e mirë të të ardhurave të sigurimeve shoqërore gjatë 10 mujorit, megjithë realizmin e shtimit të shpenzimeve të sigurimeve në fakt gjatë kësaj periudhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës prej 3 miliard e 779 milion lekë, edhe  me këtë akt të dytë ulen përsëri shpenzimet për sigurimet shoqërore në nivelin e 122 miliard e 515 milion lekë. Për rrjedhojë shtimi vjetor i shpenzimeve të sigurimeve shoqërore reduktohet në nivelin e  3 miliard e 434 miliard lekë. Pra shtesa e shpenzimeve vjetore për sigurimet shoqërore parashikohet më pak se ajo e realizuar gjatë 10 mujorit, kur për dy muajt Nentor –Dhjetor në këto shpenzime kanë për tu ndikuar në rritje si efekti i indeksimit ashtu edhe ai i paketës të solidaritetit, rritja e shpërblimit për vitin e ri për pensionistët apo shtresa të tjera në nevojë. Kjo shtesë ka për të arritur edhe për vitin 2018 rreth 7 miliard.

Në Aktin Normativ nr 2 nuk mund të mos bjerë në sy fakti që ulja e shpenzimeve gjithsej që kemi përmëndur më sipër, ka prekur dukshëm Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në masën e 1 miliard e 233 milion lekë, dhe brenda saj në shkallë të madhe programin e  Zhvillimi Rural, duke prekur financimin e fermerëve nga skema kombëtare e mbështetjes së tyre me grante dhe subvencione. Para tre muaj e gjysmë lidhur me to Kryeministri z Edi Rama deklaroi:
“Ne bëmë një hap shumë të mirë. U thamë fermerëve, aplikoni me dokumente zero. E dini që sot nuk po u japim gjithë fermerëve paratë? Kush e mban përgjegjësinë për këtë?”

Përsëri tani në Dhjetor një pjesë jo e vogël e fermerëve nuk kanë për të marrë paratë. Këtë e konfirmojnë ndryshimet e buxhetit e reduktimi i saj për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nëpërmjet Aktit nr 2. Cili është shkaku, fermerët që ishin shpallur paraprakisht fitues e nuk plotësonin kushtet për financim, apo munguan paratë nga buxheti për të kryer financimin e premtuar fermerëve të projekteve të realizuara prej tyre?! Le të shohim se  çdo thuhet pas 1-2 ditësh. Si do që të jetë përgjigja këto ditë të javës të fundit të vitit, qoftë për mbajtjen e përgjegjësisë përkatëse, zhgënjimi i fermerëve për të marrë pjesë me projekte në skemat kombëtare të mbështetjes të fermerëve që ka ndodhur dy vitet e fundit, nuk është i vogël duke u shoqëruar me  mosbesimin ndaj tyre. Kjo mungesë besimi nuk mund të mos transmetohet dhe tek bijte e bijat e tyre studentë për takimet e dialogun e kërkuar. Ata dhe prindërit e tyre kërkojnë zgjidhje dhe  jo justifikime…

U ndala në detaje ndoshta të tepërta për lexuesin e zakonshëm. Por gjithsesi ato  konfirmojnë për nevojën e një reflektimi të thellë e në kohë  ndaj asaj që është shpallur prioritare në letra e programe “Mirëplanifikim i shpenzimeve dhe miradministrim i të ardhurave me qëllim mbështetjen e një rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme”. Ato nuk mund të shtyhet më tej, por janë hapi i parë për tu dhënë zgjidhje problemeve të tjera reale. Ka ardhur koha e ndryshimit. Kryministrit z. Edi Rama i duhet të ndryshojë edhe veten edhe qeverisjen për t’i hapur rrugë zhvillimit të shpejtë të ekonomisë dhe plotësimit të kërkesave të protestës të studenteve të Dhjetorit të dytë e të zgjedhë, midis fansit të fasadave dhe misionit. Është koha e misionit.