Ballina Aktualitet PS, deputetja Spiropali: Kërkesa e studentëve është e arsyeshme

PS, deputetja Spiropali: Kërkesa e studentëve është e arsyeshme

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali duke komentuar zhvillimet e fundit pas protestës masive të studentëve në të gjithë vendin, shprehet se vendimi i qeverisë nuk konsiderohet prej tyre si tërheqje.

Spiropali pranoi hapur në një intervistë televizive, se kërkesa e studentëve ishte e arsyeshme, por përgjegjësinë ia lë rektorëve të universiteteve që propozuan vendosjen e tarifave për kreditet e provimeve të mbartura.

Deputetja socialiste e sheh si sukses të qeverisë Rama por edhe si diçka pozitive faktin që sot studentët protestojnë për të drejtat e tyre.

“Ne nuk e konsiderojmë tërheqje, një kërkesë të arsyeshme, kërkesa e studentëve ishte e arsyeshme. Janë disa prej rektorëve që e kanë kërkuar sepse ata kanë vënë re një tendencë për të përsëritur lëndë, për të shtyrë provimet, por ajo që pranojmë është se nuk ka patur komunikim me studentët për këtë gjë. Ne kemi një tendencë që gjithçka ta lidhim me qeverinë, kjo VKM është e 7 muajve më parë, pa diskutim edhe ministria është kapur në një lloj befasie. Kjo ka qenë një protestë spontane dhe është realizuar aty për aty, dhe brenda ditës është gjjykuar dhe është hequr ajo kërkesë nga VKM-ja.

Është lajm i mirë që studentët dalin si një trup dhe protestojnë për të drejtat e tyre. Ne vuanim kur ishim në opozitë sepse presioni që ushtrohej ishte aq i madh sa nuk guxonin studentët të grinin zërin,” – u shpreh Spiropali.