Ballina Aktualitet Protestuesit hedhin molotov e gurë tek Policia e Tiranë (Një përmbledhje e...

Protestuesit hedhin molotov e gurë tek Policia e Tiranë (Një përmbledhje e asaj çfarë ka ndodhur deri tani në protestë)

Prej gati dy orësh opozita po proteston kundër qeverisë, në të pestën protestë kombëtare, e cila vjen dy ditë pas asaj të 11 majit, ku pati konfrontime mes protestuesve dhe policisë. Me gjithë reshjet e shiut, protestues nga rrethet dhe kryeqyteti janë mbledhur para kryeministrisë për protestën e thirrur nga opozita që sot ishte në formën e një marshimi dhe u ndal në disa institucione të Tiranës zyrtare, të cilat janë vënë shpesh nën akuzë nga opozita, si Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe në fund Drejtoria e Policisë së Tiranë.

Në terren kanë qenë rreth 1500 efektivë policie por ndryshe nga herët e tjera policia ka qenë më e tërhequr dhe paqësore karshi protestuesve megjithëse vazhdimisht ata kanë hedhur kapsolla dhe tymuese drejt tyre.

Protesta e sotme erdhi si vendim në mbylljet të protestës së 11 majit, të shtunën që përfundoi me ndalimin e sekretarit organizativ të PD Sahit Dollapi.

Molotovë e gurë drejt Policisë së Tiranës

Ora 20:45- Protestuesit kanë hedhur molotov e sende të forta drejt Policisë së Tiranës. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi ‘live’ se ata kanë qëlluar me gurë drejt policisë dhe janë thyer disa xhama. Po kështu është lënduar një polic në pjesën e fytyrës nga hedhja e sendeve të forta.

Drejt finishit të marshimit/ Protestuesit tek Policia e Tiranës

Ora 20:40- Pas qëndrimit disa minuta tek Ministria e Brendshme, protestuesit kanë shkuar para Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës në shenjë proteste kundër ndalimit të dhjetëra protestuesve të opozitës. “Lironi vëllezërit tanë”, me këtë thirrje kanë vijuar protestën para policisë.

Protestuesit mbërrijnë tek Ministria e Brendshme

Ora 20:15- Protestuesit kanë mbërritur tek Ministria e Brendshme, në pikën e parafundit të marshimit të tyre protestë. Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës ndodhen mes tyre, ndërsa marshimi vijon edhe nën shi. Protestuesit dëgjohen duke thënë gjithë kohës “Rama ik!”.; “Polici e leshit”; “Polici e krimit”.

Protestuesit ndalen tek parlamenti, hidhen tymuese

Ora 20:00- Protestuesit kanë mbërritur para parlamentit ku kanë qëndruar për disa minuta. Disa protestues kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në drejtim të parlamentit. Një rresht efektivësh ishte i vendosur gardh para kryeministrisë por pa masa mborjtëse. Çka ka bërë që policët të largohen. Më të tërhequra qëndrojnë forcat e FNSH dhe autobotet e ujit. Protestuesit e kanë larguar gardhin metalik por nuk janë futur në oborrin e parlamentit vetëm hedhin vazhdimisht fishekzjarre.

Tymuese e fishekzjarrë, ndizet oborri i Drejtorisë së Policisë

Ora 19:40- Ndizet situata në marshimin-protestë të opozitës. Protestuesit e parë që ndodhen para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë hedhur tymuese dhe kapsolla në oborrin e institucionit.

Një numër i vogël efektivësh policie ndodheshin në oborr por më pas u tërhoqën për shkak të situatës së krijuar. Nga ana e policisë nuk ka ende një kundër reagim.

Megjithëse vijon shiu, protestuesit kanë ndjekur nga pas kreun e PD Lulzim Basha dhe liderët e tjerë të opozitës që kanë shkuar deri tek Brryli dhe më pas janë kthyer për të shkuar tek parlamenti.

Basha pa çadër në protestë: Dhuna e vetmja zgjidhje që ofron Rama

Ora 19:05 –Lideri i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot nga protesta e opozitës se dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron kryeministri Edi Rama. Mbi të gjithë dhe pa çadër, Basha tha se opozita ofron bashkimin e shpirtrave kundër dhunës.

Mungon në protestë, Kryemadhi vizite pune në SHBA

19:02- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi  do të mungojë sot në protestën e pestë kombëtare të opozitës.  Zyrtarisht nga kjo forcë politike thuhet se znj. Kryemadhi ndodhe në SHBA në kuadër të një vizite pune. Sakaq mbështetësit e LSI janë nisur tashmë në drejtim të kryeministrisë.

Basha lë selinë iu bashkohet protestuesve

Ora 18:50- Lideri i opozitës ka lënë selinë e PD-së për t’iu bashkuar protestuesve në protestën e thirrur sot, e pesta kombëtare kundër qeverisë. Basha është shfaqur i qeshur dhe i qetë mes protestuesve të cilët do të zhvillojnë sot një tjetër formë proteste duke marshuar.