Ballina Aktualitet Protesta te parlamenti, policia arreston 6 persona, procedim penal për Gazmend Bardhin

Protesta te parlamenti, policia arreston 6 persona, procedim penal për Gazmend Bardhin

Pas protestës të zhvilluar këtë të enjte përpara Parlamentit, policia e Tiranës thotë se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 6 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës.

Sipas një njoftimi të uniformave blu, veprimet procedurale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

“Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim. Është proceduar penalisht gjithashtu edhe Gazmend Bardhi, organizator i protestës” – thuhet në njoftimin e policisë.

“Janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” shtetasit:
– J.Gj., 24 vjeç, nga Shijaku;
– M.D., 24 vjeç, nga Mamurrasi;
– A.K., 20 vjeç, nga Rrësheni;
– B.D., 36 vjeç, nga Kavaja;
– E.M., 26 vjeç, nga Kavaja;
– D.P., 31 vjeç, nga Tirana.
Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme” – citon policia.