Ballina Aktualitet Protesta, më shumë se 1600 policë në terren

Protesta, më shumë se 1600 policë në terren

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar do të protestojë sot para Kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe është e dyta pas protestës së 16 shkurtit para Kryeministrisë.

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu, opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.

Planet e masave të marra nga Policia e Shtetit për sot janë thuajse të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërkohë që ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të protestuar pa afat. Ashtu si më 16 shkurt, Partia Demokratike kërkoi që leja për tubim të nistë në orën 11:00 dhe të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar. Policia e Shtetit ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.

Megjithatë, në kërkesën e saj, Partia Demokratike njofton se protesta do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe tek rrugët që të çojnë drejt Kryeministrisë.

Për mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka angazhuar më shumë se 1600 efektivë.