Ballina LAJME Protesta kombëtare e opozitës, skenarët mbeten ende mister

Protesta kombëtare e opozitës, skenarët mbeten ende mister

Opozita e bashkuar do të mblidhet pasditen e kësaj të shtune në Tiranë  në orën 18:30 në protestën e katërt kombëtare, të drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim  Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Dy drejtuesi kryesorë të frontit opozitar kanë theksuar se kushti i tyre i panegociueshëm është largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë shtuar se kjo lëvizje do t’i hap rrugë garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

Ndërkohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bëri thirrje të shtunën që protesta të mos shoqërohet me akte dhune, por qytetarët të demonstrojnë pakënaqësitë në mënyrë paqësore dhe demokratike.

“Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës komprometohet”-thekson mesazhi i ambasadës.

Lideri demokrat ka theksuar në takim me qytetarët se nuk do të këtë zgjedhje me 30 qershor pa Partinë Demokratike, ndërsa nga ana tjetër Partia Socialiste pritet sot të  nxjerrë të gjithë emrat e kandidatëve, të cilët do të garojnë për 61 bashkitë e vendit.