Ballina Aktualitet Protesta e studentëve, zbulohen milionat e rektorëve

Protesta e studentëve, zbulohen milionat e rektorëve

Drejtuesit e universiteteve kanë deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive të ardhurat e tyre të majme, si dhe depozitat bankare, pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat e familjes në 2016.

Protesta e studentëve është kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri prej 10 ditësh. Studentët janë ngritur në protestë duke kërkuar plotësimin e tetë kushteve, të cilat kryeministri Rama i ka pranuar, por fillimisht kërkon dialog. Ditën e sotme Rama u bëri një ‘dush të ftohtë’ rektorëve dhe dekanëve. Rama u shpreh se ndoshta duket rishikuar autonomia që i është dhënë universiteteve nga ligji i ri i arsimit dhe se pasi protesta të mbarojë për sa kohë ai do të jetë në pushtet, do të jetë protestues për universitetin. Ndërkohë që kryeministri ka pranuar uljen e tarifave me 50% për të gjithë studentët që është njëra nga tetë kërkesat. Por cila është pasuria e rektorëve? Drejtuesit e universiteteve kanë deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive të ardhurat e tyre të majme, si dhe depozitat bankare, pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat e familjes në 2016.

Pranë ILDKP kanë deklaruar të ardhurat Mynyr Koni, rektor i Universitetit të Tiranës, Adem Bekteshi, rektor i Universitetit të Shkodrës, Agron Cuka, Rektor i Universitetit të Sporteve, Ali Jashari, rektor i Universitetit të Korçës, Andrea Maliqari, rektor i universitetit Politeknik të Tiranës. Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Bari Musabelliu, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Bektash Mema, rektor i Universitetit të Gjirokastrës, Kastriot Caushi, rektor i Universitetit të Arteve, Roland Zisi, rektor i Universitetit të Vlorës.

Ajo që bie në sy nga të ardhurat e rektorëve është fakti se pjesa më e madhe e tyre zotërojnë pasuri të paluajtshme, më shumë se një banesë. Ndërkohë që disponojnë dhe shumë llogari bankare. Edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, rezulton të jetë pronar i 5 apartamenteve, pronar toke dhe dyqanesh. Edhe rektorja e Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski, rezulton të jetë me të ardhura të konsiderueshme. Ajo ka deklaruar 13 llogari bankare dhe depozita të ardhurash në emrin e saj dhe të bashkëshortit.