Ballina OPINION Protesta e Shpresës

Protesta e Shpresës

Nga Lorela Garuli

Protesta e dhjetorit 2018 nuk është vetëm ajo e mijëra studentëve ndaj sistemit arsimor. Është zëri i zhgënjimit ndaj të gjitha kushteve që u mungojnë, është kërkesë llogarie për papërgjegjshmërinë disavjecare, është revolta ndaj nënvlerësimit dhe demotivimit që ndjejnë.Kjo protestë është tregues emancipimi, sepse kombet me demokraci të shëndetshme, reagojnë me protesë ndaj totalitarizmit dhe elementeve diktatoriale. Kjo revoltë është akoma më e avancuar sesa ajo e dhjetorit 1990. Nëse dhjetori ‘90 ishte jehonë e një orteku mbarëkombëtar që ndau dy epoka, ku Shqipëria nuk mund të vecohej, protesta e studentëve të sotëm është një risi, është një mesazh pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por deri dhe për vendet e zhvilluara. Nëse francezët u ngritën për kërkesa ekonomike, kjo është revolta e dijes. Lufta për dije është lufta më fisnike e bërë historikisht nga individi. Nuk nxitet nga instikte, nuk nxitet nga nevoja bazike për mbijetesë, por nga motivet më të larta të ndërgjegjes njerëzore.Protestat studentore në të gjithë historinë e kombeve kanë sjellë përmbysje dhe ndryshim mentalitetesh. Kjo protestë po hedh themelet e shpresës; mungesa e të cilës prej kohësh ka sjellë dëshpërim. Është pikërisht kjo rini që po jep sinjalet e kthesës, prej dëshirës për braktisje të vendit, tek mundësitë dhe zhvillimi.Nuk është fjala për një protestë rotacioni, sic mund të ndodhë rëndom thjesht për ndryshim stafesh; por është protestë që frymëzohet nga tendenca për përmbysje totale të konceptimeve dhe mënyrave të qeverisjes.Psikologjikisht, kur kurba e pakënaqësisë arrin në pikat më kritike, revolta masive organizohet natyrshëm. Këto revolta që lindin spontanisht, nëse arrijnë të kenë këmbënguljen e duhur, kanë një forcë të papërballueshme për të sjellë ndryshimin. Këto lëvizje shërbejnë si një pikënisje që tërheqin me vete të gjithë shoqërinë duke zgjeruar objektin e protestës. Shtresa të tjera të nxitura nga situata e rëndë aktuale, bëhen pjesë e protestës duke i dhënë përmasa masive.Nuk jam e sigurt nëse slogani “Jam krenar që jam shqiptar” ka pasur vlerë ndonjëherë më shumë sesa këto ditë, gjatë gjithë viteve të fundit. Studentët duhen falenderuar shumë sinqerisht që janë aty duke thyer stereotipat e “brezit pasiv pa qëllime e aspirata”.Protesta po fiton solidarizim; disa dyqane u mbyllën në shenjë proteste, shitësit e kancelarive u dhanë pankartat dhe materialet e tjera falas, figura të njohura në fushat përkatëse po bëhen pjesë e protestës.Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë për të mundësuar plotësimin e kërkesave të drejta, këta të rinj nuk duhen lënë vetëm. Duhen mbështetur nga e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, e cila duhet të dijë të përfitojë nga ky cast për të kërkuar zgjidhjen e shumë problemeve të tjera.