Ballina Aktualitet Protesta e opozitës, çfarë shkruajnë mediat e huaja

Protesta e opozitës, çfarë shkruajnë mediat e huaja

Protesta masive e organizuar nga opozita në bulevardin kryesor të Tiranës pati jehonë edhe në mediat dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Ata kanë përshkruar atë që ndodhi në protestë ku, shumë protestues çanë kordonin e policisë duke u përpjekur të futen në Kryeministri.

“Protestuesit nisën të shkallmojnë dyert e zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë. Kjo po ndodh gjatë protestës së opozitës kundër korrupsionit qeveritar”, – shkruan “Euronews” që e transmetoi të gjithë tubimin online.

“Washington Post” shkruan se mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri janë përplasur me policinë në një protestë anti-qeveritare, duke thënë se kabineti është i korruptuar. Ata kanë shkruar më tej se protestuesit kanë çarë kordonin e policisë duke tentuar të futen edhe në kryeministri.

“Reuters” shkruan se protestuesit, pasi hodhën bomba molotov u përpoqën të thyjnë xhamat e Kryeministrisë, duke i goditur me mjete të forta. E njëjta agjenci raporton se oficerë të policisë u bënë thirrje protestuesve për t’u qetësuar.

“La Republica” gjithashtu e ka vënë theksin tek dhuna e treguar në protestë dhe përpjekjet për t’u futur në Kryeministri. “Dhunë në protestën e opozitës në Tiranë. Mijëra persona kanë dalë në sheshin e kryeqytetit shqiptarë duke protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit. Protestuesit, të organizuar nga partia demokratike, kanë thyer kordonin e policisë duke kërkuar të futen në Kryeministri me dhunë”, – shkruan La Republica.

Asnjëra nga mediat e njohura ndërkombëtare nuk ka transmetuar asnjë pamje nga takimi anti-miting i Edi Ramës në Vlorë.