Për herë të parë në kryeqytetin tonë zhvillohet këtë sezon vjeshte Tirana Photo Festival 2018, një event fotografik i organizuar nga organizata jofitimprurëse Destination Managing & Marketing Organization Albania.

Qëllimi i këtij festivali është të vendosë në fokus artin e fotografisë përmes konkursit të fotografive, ekspozitave, seminareve, turneut fotografik dhe më shumë. Ekspozitat do të zhvillohen në galeritë e ndryshme dhe hapësirat publike, në mënyrë që të bëjnë të dukshme disa nga momentet më të bukura të vitit nga qyteti i Tiranës.

Eventi i organizuar nga Destination Managing & Marketing Organization Albania dhe Bashkia e Tiranës përfshin një ekspozitë fotografike me 100 fotot më të bukura të kryeqytetit, të zgjedhura nga një juri profesioniste me fotografë të njohur, përmes një konkursi fotografik në mediat sociale.

Në ditën e hapjes së ekspozitës, do të ndahen edhe tre çmime për fituesit e secilës kategori. Tirana Photo Festival 2018 do të zhvillohet në Muzeun Kombëtar për një javë rresht nga 1 nëntori deri më 7 nëntor, duke i dhënë kështu fotografëve profesionistë apo amatorë, të rinj ose jo, mundësinë të promovojnë aftësitë e tyre, por edhe bukuritë e kryeqytetit.