Ballina Kronikë Prokuroria jep detaje për vrasjen e 6-vjeçarit në Deçan

Prokuroria jep detaje për vrasjen e 6-vjeçarit në Deçan

Plagë vdekjeprurëse ka marrë në kokë 6-vjeçari D.Ç nga fshati Berliq i Deçanit. Deri më tani prokuroria dhe policia nuk e dinë nëse në drejtim të tij nga pakujdesia ka shkrepur vëllai i tij 8-vjeçar apo vetë viktima gjatë kontaktit me armë. 

Dyshimet e para të hetuesisë thonë se tragjedia ka ndodhur për shkak të pakujdesisë. Megjithatë, vdekjen e të miturit e ka konfirmuar policia dhe prokuroria, trupi i viktimës është dërguar në obduksion- për t’i sqaruar rrethanat e vdekjes.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka dhënë detaje për këtë rast.

“Për rastin në fjalë prokurororja ka dalë në vend të ngjarjes së bashku me njësitet relevante policore ku janë ndërmarrë fillimisht veprimet e nevojshme. Trupi i pajetë i fëmiut me urdhër të prokuororit të shtetit është dërguar për obdukim. Lidhur me rrethanat e këtij rasti jemi në pritje të raportit të autopsisë”, tha Nikçi për Gazetën Express.

I pyetur se si ka ndodhur vdekja e të miturit, Nikçi tha se prokuroria po pret raportin e autopsisë.

“Nuk dihen ende rrethanat si ka vdekë fëmija. Jemi në pritje të raportit të autopisë. Prokuroria e ka autorizu Policinë e Kosovës, për marrjen e veprimeve të nevojshme në trajtim të këtij rasti”, tha Nikçi.

Rastinpër Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Sipas tij, dyshohet që fëmija është qëlluar në kokë nga një arme e zjarrit.