Ballina OPINION Projekti i Unazës së Re duhet të nisë nga e para

Projekti i Unazës së Re duhet të nisë nga e para

Nga Preç Zogaj

Përfitimi me letra të falsi fikuara i tenderit me vlerë 18 milionë euro, që është njëri prej tre lotëve të projektit të Unazës së Re, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Nuk kemi etalonë për të gjykuar ritmet dhe grintën e Prokurorisë në hetimin e çështjeve të tilla. Mundet që hetimi i nisur është në parametrat normalë.

Por, kur mendon se skandalin e zbuloi përmes një kërkese të zakonshme drejtuar Sekretarit të Shtetit të Delaware, SHBA, moderatori i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi dhe kur mendon pas kësaj sa e lehtë paska qenë për t’u zbuluar në krahasim me shumë afera të tjera korruptive që duhet të vuash t’u gjesh fillin dhe kur u shton këtyre mendimeve dyshimin e arsyeshëm, për të mos thënë bindjen se vjedhja do të ishte bërë fakt po të mos ishte zbuluar nga një media dhe kur vëren më tej se as Ministria që drejton ministri Damian Gjiknuri, as ARRSH dhe asnjë prej institucioneve dhe agjencive tona ligjzbaturese “nuk dinte gjë” si ishte gatuar e po piqej si buka në furrë kjo vjedhje në dritë të diellit “konform ligjeve tona” dhe kur konstaton se Unaza e Re, loti i parë i saj, ka fëlliqur e asgjësuar kaq shumë hallka në ngrehinën e pushtetit që kanë heshtur duke lënë të kalojë si në revistë, madje duke i blatuar temenatë e rojës së nderit lotit dhe zotëve të vërtetë të lotit 18 milionë euro, pra, kur i mbledh bashkë të gjitha këto, hetimi i Prokurorisë, qoftë edhe brenda ritmeve, të përcjell përshtypjen e një hetimi nga halli, pa tempizmin që diktojnë përmasat dhe natyra e krimit që media ia ka venë organit të akuzës në tryezë të zbardhur në pjesën që ka të bëjë me planin për të grabitur taksat e shqiptarëve, por që ka nevojë të hetohet më tej e të formulohet si akuzë penale në aulën e Gjykatës: Merre, ja ku e ke, zbardhe deri në fund! Kush është pas recepsionistit që ka fituar tenderin 18 milionë euro pa asnjë karrocë dore në pronësi e jo më makineri për ndërtim autostradash! Kush është pas atij që është pas recepsionistit? Na i bëj fytyra dhe emra këto hije të prapaskenës që kanë guxuar të vjedhin me dorë kaq të rendë pa e çarë kokën.

Hetimi pritet të zbulojë emra konkretë politikanësh, zyrtarësh e sipërmarrësish që qëndrojnë prapa falsifikimit dhe kishin planifikuar të ishin përfituesit e vërtetë të grabitjes. Nëse nuk shkohet tek emrat e ustallarëve, hetimi konsiderohet i dështuar. Por pa i mësuar akoma në rrugë ligjore emrat e falsifikatorëve të vërtetë, ka një gjë të rëndë që është që tani në dritë të diellit: Loti i parë ishte konceptuar e kopsitur si mashtrim e vjedhje në çdo hallkë dhe ishte siguruar të kalonte pa asnjë problem në stacionet e oponencës dhe verifikimit formal nga një lidhje njerëzish të pushtetshëm, që nuk njohin në këtë vend autoritet tjetër sipër tyre (ligjin nuk e konsiderojnë autoritet), që ndajnë pjesët në bankën e favoreve në kuadrin e një koalicioni të madh aspak virtual nën rrogoz, ndërsa bëjnë teatrin e pluralizmit për sytë e publikut. Loti i parë i Unazës së Re, i diskretituar tashmë, ka nxjerrë në pah ndërkaq të vërtetën tronditëse se luftë kundër korrupsionit në këtë vend do të thotë të ruash financat e shtetit nga ata që janë zgjedhur apo emëruar për t’i administruar ato.

Në këtë pikë, ndalimi i grabitjeve është rëndom në mëshirë të rastit dhe rrethanave. Degradimi është përfundimtar.

Kjo po duket edhe në rrugën që po ndjek tenderi i diskretituar. Autoritetet e Ministrisë së Transportit dhe ARRSH-së nxituan të kërkojnë informacion nga SHBA për një gjë që ka qenë detyra e tyre elementare për ta mësuar në rrugë institucionale, siç e mësoi shumë thjesht një emision televiziv. Kjo lëvizje mund të linte përshtypjen se këta zyrtarë nuk kishin pasur dorë vetë, por thjesht ishin treguar naivë e syleshë nëse nuk do të kishin shpallur menjëherë përsëritjen e tenderit kështu siç është, me këtë shumë, 18 milionë euro, me këtë projekt me bisht, dhuruar a sponsorizuar në mënyre okulte, të panevojshme për kapacitetet njerëzore e financiare të vendit tonë sot. Por ata e shpallën përsëritjen e tenderit, pavarësisht se Prokuroria po heton në një zinxhir parregullsish që nxjerrin njëratjetrën dhe kanë hedhur më erë tashmë themelin e ligjshmërisë së tenderit jo vetëm në lotin e parë 18 milionë euro, por edhe në dy lotët e tjerë që kushtojnë së bashku 22,5 milionë euro. E gjithë kjo lë shijen e kalimit në planin B pasi dështoi plani A, duke larë duart si Pons Pilati. Në këtë kalim, ajo që nuk ndryshon është kostoja 18 milionë e lotit të përsëritur, që përmban edhe koston mbi kosto dhe mbi normën e fitimit të abuzimit.

Në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, para se Ylli Rakipi të bënte zbulimin e tij, inxhinier Xhevahir Ngjeqari dhe unë kemi argumentuar se projekti i Unazës se Re është i gabuar, i fryrë panevojshëm, me shumë shkelje. Si i tillë, pa llogaritur humbjet financiare në kurriz të taksapaguesve, ai është në origjinë të konfliktit me banorët e zonës, konflikt plotësisht i shmangshëm nëse detyra e projektimit respekton nevojat reale të qarkullimit për shumë dekada në këtë pjesë të Tiranës dhe vetë projekti hartohet konform rregullave të njohura dhe i nënshtrohet oponencës profesionale. Me zbulimin e skandalit të falsifikimit, situata është shumë më e qartë sa u takon batakçillëqeve në seri rreth këtij projekti. Korrigjimi i vetëm është fillimi nga e para e lotit 12 milionë euro dhe e gjithë projektit të Unazës së Re, duke e futur në kornizat e ligjit dhe rregullave gjithë procedurën, që nga nxjerrja e studiuar e detyrës së projektimit, te hartimi i projektit me autorësi profesionale të shpallur e deri te tenderi i hapur e transparent, duke siguruar në çdo etapë një oponencë të kualifikuar. Ky është qëndrimi që do ta distanconte Kryeministrin Rama nga skandali. Çdo qëndrim tjetër vetëm e ekspozon atë si njeriu që ka luajtur e luan fijet e megaskandalit.

Nuk mund të përsërisë tenderin një subjekt në hetim, pikërisht për atë tender. Siç e cekëm më lart, gjatë hetimit të lotit të parë, Prokuroria ka kapur fiktivitetin e neveritshëm të së ashtuquajturës garë në të tre lotët nëpërmjet përdorimit të firmës “Vëllezërit Hysa” që nuk kanë dhënë asnjë ofertë, por kanë shërbyer për t’u dhënë “legjitimitet” mashtrimeve. Gjithçka e kalkuluar dhe e kontrolluar deri në imtësi nga lidhja e përfituesve të vërtetë që nuk njohin fuqi tjetër sipër vetes. Së paku deri ditën kur u kapën me presh në duar. Vazhdimi i Unazës së Re me projektin e gabuar dhe me procedurën e diskretituar është si të lejosh vazhdimin e krimit në hetim. Por edhe një prokuror i thjeshtë që zbaton ligjin është më i fuqishëm se grabitësit me pushtet të pasurisë publike. Sepse është ligji, fuqia, monarku. Ora e këtij monarku troket gjithnjë e me afër.