Ballina Aktualitet Procesi i Brdo-Brijunit, presidenti serb Vucic viziton Tiranën

Procesi i Brdo-Brijunit, presidenti serb Vucic viziton Tiranën

Javën e ardhshme, presidenti serb Aleksandar Vucic do të vizitojë Tiranën, si pjesë e punimeve të takimit rajonal të krerëve të shteteve, në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit.

Presidenti i Serbisë do të udhëtojë më 8 maj drejt Romës për t’u takuar me zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvini. Mediat serbe raportojnë se temë kryesore e këtij takimi do të jetë dialogu me Kosovën. Mësohet se takimi mes Vucic dhe zëvendëskryeministrit italian pritet të jetë i mbyllur për mediat.

Në përfundim të takimit në Romë, presidenti Vucic do të udhëtojë në mbrëmje drejt Tiranës për t’u takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë Federica Mogherini në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, i cili do të mbahet në Tiranë.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Aleksandar Vucic në Shqipëri, por e para si president i Serbisë, ndonëse jo një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në maj të vitit 2015, ai e vizitoi Tiranën në cilësinë e kryeministrit të Serbisë.