Prishën rendin e qetësinë publike, procedohen penalisht dy administratorë lokalesh në Tiranë

64

Policia bën me dije se vijojnë kontrollet e shtuara nga Policia e Tiranës, ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Procedohen penalisht dy administratorë lokalesh, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokaleve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bazë të ankesave të bëra nga qytetarët për dy subjekte që nuk zbatonin protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijonin aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në zonën e ish-Bllokut, kanë konstatuar dy subjekte (lokale) që nuk respektonin masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vendosnin muzikë të lartë, tej normave të lejuara.

Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u proceduan penalisht dy administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., 25 vjeç dhe A. P., 20 vjeç.

Për subjektin në administrim të shtetasit D. S. u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.-lajmëron policia.