Ballina LAJME Prindërit denoncojnë se e kanë rrëmbyer/ Vajza: Kam ikur me dëshirën time!...

Prindërit denoncojnë se e kanë rrëmbyer/ Vajza: Kam ikur me dëshirën time! E dua djalin

Një histori dashurie është bërë shkak për një episod disi të pazakontë brenda familjes Xhelili. Vajza e tyre, 15-vjeçare është larguar ditën e djeshme nga shtëpia, çka ka alarmuar prindërit. Këta të fundit kanë bërë denoncim në Polici se vajza e tyre 15-vjeçare është rrëmbyer nga një djalë, të cilin nuk e njohin.

“Kemi kallëzuar rrëmbimin e vajzës, por nuk po marrim përgjigje. Nuk e njohim personin i cili ka rrëmbyer vajzën. Na kontaktoi Policia e Beratit për vendndodhjen e saj”, shprehen prindërit e vajzës.

Por ndryshe nga prindërit, vajza ka deklaruar se familja e njeh djalin, pasi ky i fundit kishte shkuar në shtëpi për t’i kërkuar dorën. Ajo ka rrëfyer se prindërit nuk ka qenë dakord për këtë lidhje, prandaj ka vendosur që të largohet nga shtëpia, për t’u martuar me djalin që është e dashuruar.

Policia pritet që ta kthejë 15-vjeçaren pranë prindërve në Fier, ndërsa është shoqëruar në komisariat edhe djali me të cilin ajo ishte larguar.