Ballina Aktualitet Presidenti Meta: Djegia e mandateve është veprim ekstrem, por edhe Kryeministri të...

Presidenti Meta: Djegia e mandateve është veprim ekstrem, por edhe Kryeministri të reflektojë

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për Deutche Welle gjatë qëndrimit të tij në Gjermani si pjesëmarrës në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, ka komentuar edhe djegien e mandateve nga opozita shqiptare. Presidenti i Republikës thekson se djegia e mandateve është një veprim ekstrem, që “nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por as forcimit të institucioneve.”

“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar, – ka thënë presidenti Meta. – Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij. Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.
Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.”