Ballina KULTURË Premiera e “Internment”, një film për jetën plot vuajtje gjatë viteve të...

Premiera e “Internment”, një film për jetën plot vuajtje gjatë viteve të regjimit komunist (VIDEO)

Pas çmimit “Filmi i Huaj më i Mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Arizona dhe çmimit “Regjisori më i Mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Riverside të Shteteve të Bashkuara, “Internment” pati edhe shfaqjen e vet premirë në Tiranë.

Duke u përqendruar në historinë e një familje të internuar, një histori kjo e mbushur plot konflikte, vuajtje e dhimbje, filmi sjell jetën në Shqipërinë e viteve të regjimit komunist, ku pa frikë mund të thuhet se i gjithë vendi ishte shndërruar në një kamp të stërmadh internimi.

Teksa sheh filmin, brezi i vjetër, i cili i ka jetuar në kurriz ato kohëra, futet në meditime, ndërsa më të rinjtë, të cilëve historitë e së kaluarës u duken tamam si filma, ndalen, disi edhe të habitur, nga dhuna fizike dhe psikologjike që prindëritur e tyre kanë përjetuar. “Internment” është një film për Shqipërinë e kaluar, për vitet e komunizmit, që nuk duhen harruar.

Kësaj historie shqiptare iu bashkua interpretimi me shumë ndjenjë dhe forcë i aktorëve Klodian Hoxha, Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Gramoz Gashi, Kristaq Pilo, Arjeton Osmani etj. Mjeshtria e regjisorit të talentuar Kast Hasa ishte kudo në film, deri edhe në detajet më të vogla të tij.

Për protagonisten kryesore Enxhi Cuku, eksperienca e filmit “Internment” do të mbetet e paharruar.

Shfaqja e filmit në këtë premierë për shikuesit në Tiranë u prit mjaft mirë, një dëshmi kjo se edhe çmimet e fituara në festivalet ndërkombëtare kanë qenë mëse të merituara. Kjo e bën edhe më të padurueshme pritjen për kohën kur filmi do të shfaqet edhe për publikun e gjerë.