Ballina Aktualitet Preda: Flisni me njëri-tjetrin përpara qershorit

Preda: Flisni me njëri-tjetrin përpara qershorit

Cristian Preda, anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian kërkoi nga shqiptarët dhe liderët politikë në vend të flasin me njëri-tjetrin. Ai e konsideroi një sukses të madh që palët të bisedojnë para qershorit.

“Unë jam anëtar i PE, koordinator për çështjet e jashtme. Si kryeministër keni një optimist tragjik. Ai ka kërkuar çeljen e negociatave. Ne si deputetë e mbështesim dhe ne dëshirojmë të flasim me Europën. Është e rëndësishme që para qershorit shqiptarët të flasin me njeri-tjetrin. E ftoj kryeministrin të bisedojë me opozitën. Do jetë sukses i madh që para qershorit të bisedojnë me njeri-tjetrin”, deklaroi Preda.

Për studentët protestues tha se është e papranueshme që familjeve të tyre t’iu bëhet presion dhe të hiqen nga puna.

“Keni pasur disa protesta masive të studenteve. E papranueshme që familjeve të tyre të bëhet presion. Iu kërkoj autoriteteve të shikojnë këto presione. Disa prej tyre janë hequr nga puna. Është rrezik i madh për destabilizimin”, deklaroi Preda.

 Eurodeputeti gjithashtu kërkoi një liri të medias, e cila sipas tij po pasqyron lajme të rreme të mazhorancës dhe opozitës.
“Këtu lajmet e rreme vijnë nga qeveria, por dhe partitë në opozitës. Liria e shtypit është thelbësore. Ju lutem ruajeni atë. Ne duam një liri të vërtetë të shtypit”, deklaroi ai.

ZGJEDHJET

Preda, përfaqësues i Partive Popullore Europiane, ku është edhe Partia Demokratike Shqiptare anëtare, e cilësoi të papranueshëm dorëzimin e mandateve nga opozita. Gjithashtu, si një vëzhgues i zgjedhjeve të 2017-ës, ai tha se shkuan mirë dhe nuk mund të pretendohet pas 1 viti e gjysmë se nuk ishin të rregullta kur u pranuan.

“Abandonimi i mandateve është i papranueshëm për ne. E kemi thënë edhe kur bojkotoi partia e Ramës dhe e them tani. Si vëzhgues i zgjedhjeve të kaluara parlamentare mund të them se përfundimet tona janë se zgjedhjet shkuan mirë. Nuk mund të themi pas një viti e gjysmë se nuk shkuan mirë. Ne kemi ekspertizën më të mirë, përvojën më të mirë në botë sa i takon zgjedhjeve. Për mua është e çuditshme të thonë se zgjedhjet janë të këqija. Ndihem keq nga kjo. Ne mbështesim çeljen e negociatave. Besoj se duhen hapur negociatat por duhet dialog i brendshëm”, deklaroi Preda.