Prangosen “Shëtitësit e Mesnatës”, kryenin një sërë vjedhjesh në kryqytet, mes tyre edhe të mitur

40

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Shëtitësit e mesnatës”, ka zbuluar 12 vjedhje me thyerje të ndodhura gjatë dy muajve të fundit në zona të ndryshme të Tiranës.

Si rezultat i hetimeve intensive janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 12 raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje të lokaleve, këmbimit valutor (exchange) dhe bizneseve të ndryshme.

Si të dyshuar janë vënë në pranga katër autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, dy prej tyre me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Efektivët e komisariatit Nr. 6 arrestuan në flagrancë gjatë operacionit “Shëtitësit e mesnatës”, A. M., 23 vjeç, K. S., 17 vjeç të dy të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, A. C, 17 vjeç dhe O. I., 15 vjeç.

Katër të dyshuarit janë kapur në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e policisë, duke tentuar të vjedhin në një lokal.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se të ndaluarit janë autorët kryesorë të dyshuar për disa vjedhje në qarkun e Tiranës, konkretisht:

-Vjedhja e një shume parash në një lokal në pronësi të shtetasit F. M., ngjarje e ndodhur më datë 31 gusht, në Unazën e Re.

-Vjedhja e një shume parash në një furrë buke në pronësi të shtetasit M. H., ngjarje e ndodhur më datë 31 gusht, në rrugën “Panajot Pano”.

-Tentativa për vjedhje në një dyqan të këmbimit valutor Exchange, ngjarje e ndodhur më datë 31 gusht, në Unazën e Re.

-Tentativa për vjedhje në një market në pronësi të shtetasit G. B., ngjarje e ndodhur më datë 25 gusht, në rrugën “Leonard Frroku”.

-Vjedhja e një shume parash në një lokal në pronësi të shtetasit Sh. Zh., ngjarje e ndodhur më datë 26 gusht, në rrugën “Thoma Goxhaj”.

-Tentativa për vjedhje me thyerje të një agjencie udhëtimesh në pronësi të shtetases E. K., ngjarje e ndodhur më datë 29 gusht, në rrugën “Don Bosko”.

-Tentativa për vjedhje me thyerje në një bar-kafe në administrim të shtetasit E. D., ngjarje e ndodhur më datë 29 gusht, në rrugën “Don Bosko”.

-Vjedhja e një shume parash në një lokal në pronësi të shtetasit V. M., ngjarje e ndodhur më datë 14 gusht, në rrugën “Frosina Plaku”.

-Vjedhja e një shume parash në një piceri në zonën e ish-fushës së aviacionit.

-Tentativa e vjedhjes të një marketi në pronësi të shtetasit M. R., ngjarje e ndodhur më datë 19 korrik, tek “Blloku Gintash”.

-Vjedhja me thyerje e një shume parash në një market në pronësi të shtetasit E. D., ngjarje e ndodhur më datë 27 korrik, në rrugën “Sokrat Miho”.

Gjithashtu, nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi K. S., ka thyer vendimin e Gjykatës, pasi ajo i kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Aktualisht vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar të ndaluarit, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.