Ballina Aktualitet Policia shton forcat në terren për protestën e opozitës, çfarë masash janë...

Policia shton forcat në terren për protestën e opozitës, çfarë masash janë marrë

Policia e Shtetit duket se do të kalojë në plan më të përforcuar pasditen e sotme, për protestën e 5-të kombëtare të opozitës së bashkuar.

Ndryshe nga më parë, në terren pasditen e kësaj të hëne do të jenë 1700 forca policie për mbarëvajtjen e protestës. Opozita e bashkuar ka thirrur sërish sot shqiptarët në protestë, e cila pritet të mbahet në 18:30 në Bulevardin “Dëshmorët e kombit”, me kërkesën e vetme, largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore që do të cojë vendin në zgjedhje të lira.

Plani i masave nga forcat e rendit duket se është i njëjtë. Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit. Gjithashtu efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë për të filmuar cdo person të dhunshëm apo që cënon rendin publik. Turmat do të monitorohen nga godinat e larta, nga forcat RENEA dhe efektivët e gardës. Masa sigurie do të ketë edhe në institucione të tjera të pozicionuara në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”.

Në gadishmëri do të qëndrojnë dhe autobotet me ujë për të shpërndarë turmat si edhe shërbimi zjarrfikës dhe ai shëndetësor. Pasdite pritet që të ketë edhe kufizime trafiku në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët lidhëse me të.

Protesta e 11 majit e opozitës së bashkuar ishte një protestë e ashpër dhe e dhunshme. Disa herë u regjistruan momente tensioni, teksa protestuesit hodhën bomba molotov, tymuese e fishekzjarre jo vetëm në drejtim të godinës së kryeministrisë por edhe të forcave të policisë të dislokuara përpara saj. Protestuesit nuk kanë kursyer as ambjentet e Kuvendit. Gjithashtu me përplasje u shoqërua ajo edhe kur turma u zhvendos para parlamentit, apo para drejtorisë së policisë së Tiranës, tension i cili u përshkallëzua pas shoqërimit të sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.