Policia i heq burrit të martuar “fiksimin” për 19 vjeçaren! E përndiqte e i dërgonte letra romantike

41

Duket se tani ka ikur koha kur dikush të ndjek pas me makinë e i bie borisë. Ka ikur koha kur dikush të ndërpret rrugën se do të të thotë sa të pëlqen, se sa e bukur je apo sa do donte të pinte një kafe me ty. Aq me tepër kur këto veprime i kryen një i martuar dhe muza e tij është një adoleshente.

Një 19-vjeçare nga kryeqyteti i kërkoi policisë që t’i heqë fiksimin një 38-vjeçari, i cili veç të tjerave rezultoi që ishte i martuar. Nga veprimet e mëpasshme që ndoqën agjentët panë që ai prej javësh po i shfaqte adoleshentes ndjenjat e tij në mënyrat më romantike.

Madje ai nuk është lodhur as nga indiferenca e vajzës por e ka kuptuar si “lojëra”. Pasi ka dërguar sinjale nga më të ndryshmet, burri zbuloi adresën e shoqes së ngushtë të 19-vjeçares D.P., dhe i la një letër ku kishte shkruar “të lutem jepja këtë numër telefoni shoqes tënde”.

Policia shton për gazetën “Si” se vajza është bezdisur aq shumë nga ndjekja me makinë sa në shtëpi e sa në lokal, saqë zgjidhja e vetme ishte policia. Sipas policisë, e reja D.P., u bind të denonconte pranë komisariatit numër gjashtë, pasi sinjalit të radhës që burri kishte hedhur.

“Isha me shoqen time dhe me prindërit. Siç duket, A.C., na ndoqi në distancë dhe nuk po ma gjente anën. Kur lamë shoqen në shtëpi, ai ishte afruar dhe i kishte hedhur një letër. Aty kishte shkruar numrin e tij të telefonit. I ka thënë “jepja shoqes”, rrëfen 19-vjeçarja.

Për t’u bindur mbi pretendimet e adoleshentes, policia thotë, se kreu një sërë veprimesh sikurse ishte këqyrja e kamerave të sigurisë pranë punës së adoleshentes. Makina “Audi” ngjyrë gri, e shtetasit A.C., shfaqet vazhdimisht edhe pranë banesës të së resë, ku shoferi ndonjëherë i jep makinës me shpejtësi dhe ndonjëherë qarkullon paralel me të.

Bëhet me dije se pasi ka administruar këto të dhëna, oficeri i çështjes ka firmosur arrestimin e 38-vjeçarit, i cili ndonëse me status “i martuar”, ra keqazi në dashuri platonike me 19-vjeçaren që e refuzonte qoftë dhe për një kafe./Gazeta Si.