Policia gjobit personat pa maskë, 171 gjoba vetëm ditën e sotme, mes tyre 3 deputetë

42

U bë realitet paralajmërimi i qeverisë për të gjobitur të gjithë individët të cilët nuk mbanin maskë.

Ndër të gjobiturit edhe deputetë si Florenc Spaho i PS-së, Alban Zeneli dhe Kujtim Gjuzi nga opozita parlamentare.

Gjobat iu vendosën deputetëve sapo dolën nga seanca parlamentare.

Gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin policia ka zhvilluar kontrolle dhe janë vendosur 171 gjoba me vlerë 3.000 lekë secila. Qyteti më i ‘pabindur’ ndaj mbajtjes së maskës duket se ka qene Dibra me 28 gjoba e pasuar nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Fier, Berati dhe Korça.

Ndërsa qytetet më të bindura janë Kukësi, Gjirokastra dhe Lezha ku nuk ka patur asnjë gjobë.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në terren për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Shërbimet e Policisë do të jenë prezente çdo ditë, në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin dhe në rast se do konstatojnë qytetarë që nuk kanë vendosur maskat mbrojtëse, do të marrin masat administrative sipas Aktit Normativ.