Ballina LAJME Pogradec, Zyra Arsimore i kthen të drejtën për arsim normal 13-vjeçarit

Pogradec, Zyra Arsimore i kthen të drejtën për arsim normal 13-vjeçarit

Rildi Muço, djaloshi i cili u specifikua së fundmi si një fëmijë i dhunshëm,  më në fund do të mund të ndjekë mësimin normalisht.

Mbrëmjen e djeshme në një emision televiziv u bë me dije lajmi i një fenomeni të padëgjuar më parë, ku një i mitur është bërë objekt i kërkesave të disa prindërve për largimin e tij nga bankat e shkollës. Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Kolë Koçi” në bashkëpunim me stafin pedagogjik vendosi reduktimin e orëve të mësimit të këtij djaloshi.

Megjithatë, Komisioni i Vlerësimit të fëmijëve me aftësi të veçanta hodhi poshtë aludimet për agresivitet nga Rildi, duke shpjeguar se ai ka nevojë vetëm për pak disiplinë.

Pas tentativash të shumta, Zyra Arsimore e Pogradecit ka vendosur pezullimin e këtij vendimi, dhe më në fund djaloshi do të rikthehet në shkollë normalisht si të gjithë fëmijët e tjerë.

Raste të tilla nuk përbëjnë arsye për largimin e fëmijëve nga bankat e shkollës, përkundrazi janë një thirrje e hapur për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë aktorëve të përfshirë.