Ballina OPINION Po troket përsëri ‘97-a?

Po troket përsëri ‘97-a?

nga Fatos Çoçoli

Disave nga më alarmantët prej nesh po na duket se viti i mbrapshtë 1997, me pasigurinë e tejskajshme për jetën, me 3 mijë të vrarët dhe me një gjendje për 30 ditë gati luftë civile, po na troket sërish në derë, nga largësia e 21 viteve ku është gremisur. Qytetarët e tjerë presin me shqetësim të shtuar si do të sillet opozita e porsa vetëflakur nga parlamenti. A ka ndonjë plan të qartë përpara vetes, përtej disa deklaratave emocionale të drejtuesve të saj, që vetëm shtojnë pështjellimin te njerëzit? A po mendon vërtet protesta të reja të dhunshme për të arritur qëllimet e saj të deklaruara (largimin e kryeministrit të sotëm nga pushteti dhe zgjedhje të parakohshme)? A ka ndonjë synim tjetër, përveç atyre që ka deklaruar? Pra, një plan “B”? A do të vijnë ndërkombëtarët të provojnë të bisedojnë me palët ndërluftuese, sikurse bënë në shkurt-mars 2017, sidomos me opozitën, që në atë kohë nuk pranonte e nuk pranonte të hynte në zgjedhje? Përmes gjithë kësaj gjendjeje të pazakontë e të turbullt në maksimum, qeveria duket se po bën të vetmen gjë që nuk duhet të bëjë. Të provokojë kundërshtarin politik. Të kujtojë prag ‘97-ën. Realisht qeveria duhet t’ia fusë një shuplakë të fortë vetes dhe të përmendet. Nuk është më në situatën e këtyre pesë viteve e gjysmë, kur parlamenti, edhe pse jo rrallëherë i braktisur përkohësisht nga opozita, funksiononte. Qeveria duhet të kuptojë, të dijë se në ç’tokë po qëndron tani. Parlamenti realisht sot nuk është më i tillë. Kjo s’ka të bëjë fare me zgjidhje teknike. Ai ka pushuar së qeni. Duhet rikthyer në gjendjen e mëparshme me çdo çmim. Prandaj ia vlen për qeverinë, për llogari të të gjithë neve (por edhe të sajën), të sillet në mënyrë të kundërt dhe të mos sulmojë. Sulmet sot peshojnë njëqindfish. Qeveria duhet të japë shenja pajtimi, afrimi. Të rihapë lojën e reformës zgjedhore, edhe pse tani nuk ka kohë materiale për të bërë ndonjë gjë për të. Të ofrojë edhe gjithçka tjetër, nëse mundet. Duhet t’i largohet qasjes se vetëm po shava, sulmova dhe anatemova kundërshtarin politik, jam e fortë. Të bëjë të fortën do të ishte veprimi më absurd dhe më dëmsjellës. Ka perënduar kjo kohë muskujsh. Në situata të tilla fiton politika e çtensionimit dhe e afrimit. Gjermanët bashkuan dy shtetet gjermane të ndara nga ideologjia me “real-politik” (politikën reale) të kancelarit Helmut Kohl. Ne nuk jemi një shtet i ndarë. Kemi 106 vjet të bashkuar. Qeveria duhet të provojë të shpikë një 17 prill 2017 të dytë, ndoshta shumë më të zbehtë, por të jetë një ofertë reale për të ulur në tryezën e bisedimit opozitën. Nuk ka rëndësi se sa kokëfortë, sa rezistente apo refuzuese do të tregohet opozita. Por ndërkohë i ke larguar asaj nga koka aktet e dhunës, duke e shtrirë dorën e pajtimit. I ke shuar përkohësisht ata motorë të rrezikshëm të urrejtjes dhe shkatërrimit, që duket se disa brenda opozitës duan të ndezin. Kjo nuk është një fitore e paktë, po ta arrish. Dhe arrihet duke mos menduar më pikët zgjedhore me hartimet kundër kundërshtarit politik. Kaq e vështirë është kjo qasje për qeverinë tonë të sotme? Ajo ka përgjegjësinë kryesore për të mos e lënë situatën të përshkallëzohet në tensionin dhe paqartësinë e vet. Prej nga realisht mund të lindin akte dhune të pakontrolluara. Dhe nuk është më në lojë imazhi i vendit, i tronditur fort nga dhuna e 16 shkurtit në hyrje të Kryeministrisë. Në lojë kësaj radhe është qetësia e mirëfilltë e vendit, e të gjitha familjeve shqiptare. Kush do të luajë sot me këtë qetësi, do të marrë damkën e zjarrvënësit të Shqipërisë. Qeveria duhet të provojë me të gjitha mënyrat të shuajë urët e zjarrit, që edhe mund të ndizen pikërisht tani kërcënueshëm, pse ndizen pa zhurmë dhe vëmendje. Populli thotë “qeni që leh nuk të ha”. Qeveria, por edhe të gjithë ne si shqiptarë duhet t’u ruhemi pikërisht atyre që si pa u kuptuar do të provojnë të bëjnë dëm, akte vandalizmi apo të dëmtojnë në një mënyrë ose në tjetrën punën e institucioneve. Do të ketë të tillë? Urojmë të mos ketë, por nëse vazhdon kjo klimë e turbullt dhe tejet e tensionuar, këto sulme nga të dyja anët (sidomos të pafalshme janë ato nga ana e njerëzve të qeverisë), diku mund të shpërthejë ajo që i ndruhemi të gjithë. Dhe fantazmat e ‘97-ës fatalisht mund të mos duken më aq larg. Do Zoti për të gjithë ne të mos jetë kështu!