Po luante me çakmak, 10-vjeçari i vë flakën banesës në Berat, shkrumbohet ballkoni në katin e dytë

20

Një banesë në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat është përfshirë nga flakët. Ka qenë fëmija e familjes,vetëm 10-vjeç, që duke luajtur me shkrepëse e çakmak i ka vënë flakën pa dashje lodrave të tij dhe janë larguar me vrap nga frika. Zjarri ka përparuar me shpejtësi në të gjithë ballkonin në katin e dytë të pallatit,duke shkrumbuar tërësisht orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në ballkonin e përshtatur nga familja në dhomë gatimi.

Flakët e zjarrit që ishin duke përparuar edhe brenda banesës por edhe duke rrezikuar katet e sipërme të pallatit janë parë nga gjyshi i fëmijës 10-vjeçar,që ka njoftuar menjëherë zjarrëfikësen. Ka qenë ndërhyrja në kohë e Repartit Zjarrëfikës që ka bërë të mundur lokalizimin e shpejtë të flakëve dhe shuarjen e zjarrit që rrezikonte edhe hyrjet e sipërme të pallatit.

Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej vetëm djali 10-vjeçar me gjyshin,të cilët kanë dalë jashtë pa lëndime dhe të tmerruar,ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi. Burime të zjarrëfikësve në vendngjarje kanë deklaruar se shkak i zjarrit ishte pakujdesia e djalit që ishte duke luajtur me shkrepëse në ballkon. Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ballkonin dhe një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është përhapur në të gjithë pallatin.