Ballina Kronikë Plumba 30-vjeçarit në Tepelenë, vjedhje në Krujë e Burrel

Plumba 30-vjeçarit në Tepelenë, vjedhje në Krujë e Burrel

Tri ngjarje kriminale u shënuan në harkun e pak orëve në vend. Një 30 vjeçar u plagos në një atentat në Tepelenë, ndërsa familja e një emigranti dhe xhamia Burrelit u grabitën. Në të treja rastet, policia ende nuk ka arritur të vërë në pranga autorët e dyshuar.

Një 30 vjeçar mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri në Turan të Tepelenës.

Sajmir Gjoka, u sulmua me armë zjarri në makinën e tij në orët e para të mëngjesit.

Për pasojë ai mbeti i plagosur lehtë në krah dhe është jashtë rrezikut për jetën në spitalin lokal.

E mbërritur në zonë për atentatin, policia zbuloi një tentativë të kultivimit të narkotikëve.

Në pranga përfundoi Krenar Mamaj, nga Turani por banues në Tiranë, të cilit në banesë iu kapën disa rrënjë kanabis sativa dhe një sasi tjetër e thatë.

Ndërkohë maskat e armatosura goditën sërish në Tapizë të Krujës.

Persona ende të paidentifikuar grabitën banesën e familjes së Avdi Dakut.

Në kërcënimin e armëve ata mësohet se morën aty një sasi lekësh dhe bizhuteri.

Familja Daku nuk pranoi të flasë për ngjarjen, por burimet thanë se autorët dyshohet se kishin dijeni se pak ditë më parë një djalë i familjes ishte kthyer nga Anglia ku qëndron si emigrant.

Vala e grabitjeve preku edhe Burrelin. Persona ende të paidentifikuar vodhën arkën e xhamisë së qytetit.

Policia lokale për të tre ngjarjet kriminale ende nuk ka arritur të identifikojë autorët, por ka shoqëruar disa persona për ti marrë në pyetje si dëshmitarë apo të dyshuar.