Ballina Aktualitet ‘Plehra! Ju llafos unë jashtë’/ Kërcënon gazetarët biznesmeni që sajoi atentatin me...

‘Plehra! Ju llafos unë jashtë’/ Kërcënon gazetarët biznesmeni që sajoi atentatin me të riun në Vlorë

Romarjo Alliaj dhe biznesmeni i ndërtimit Arben Veliko të arrestuar para dy ditësh pasi inskenuan një atentat me armë zjarri janë lënë në burg sot nga gjykata e Vlorës. Gjyqtarja Herila Çela pranoi kërkesën e prokurorit Alfred Sali duke mos marrë parasysh kërkesën e avokatit për një masë më të lehtë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Kallëzim i rremë”,”Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”.

Por, në momentin që kanë dalë para gjyqtares bashkë me të riun me pranga në duar, biznesmeni Veliko ka kërcënuar gazetarët. “Hajde se ju llafos unë kur të dal. Plehra” ishin fjalët e tij kundër gazetarëve dhe operatorëve që po filmonin. Madje në një moment ai ka tentuar që të qëllojë në drejtim të tyre, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për të normalizuar situatën, e cila ishte e tensionuar deri kur mediat dolën nga salla.

Romarjo Alliraj fillimisht është ndaluar në datë 1 qershor të këtij viti pasi shkeli rregullat e qarkullimit duke u lënë më pas në arrest shtëpie, masë të cilën e theu për t’u prangosur sërish pas dy ditësh, pasi u zbardh ngjarja.