Ballina Aktualitet “Peshku” bie në rrjetë, shiste heroinë në shkollat e mesme të Tiranës

“Peshku” bie në rrjetë, shiste heroinë në shkollat e mesme të Tiranës

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët shisnin heroinë pranë shkollave të mesme në kryeqytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeta” u arrestuan dy persona, E.S 45 vjeç me pseudonimin “Peshku” dhe shtetasi me iniciale F.Z 25 vjeç.

Policia thotë se dy personat e arrestuar e shisnin heroinën në formë dozash në gjithë zonën e Tiranës dhe me klientelë fikse.

“Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 25.02.2019, caktoi  masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj shtetasve E. S., dhe F. Z., pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim”, sqaron policia.

Gjatë ekzekutimit të urdhërave të ndalimit, Policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e shtetasit E.S., një kilogramë e 33 gramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, si dhe një peshore elektronike.

“Nga hetimet rezultoi se veprimtaria e tyre kriminale kryhej në fushën e shitjes së lëndës narkotike “Heroinë”, veprimtari të cilën e kryenin pranë disa shkollave të mesme”, vijon njoftimi i policisë.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve E. S., dhe F. Z.