Ballina LAJME Peshkopi, punimet në unazën e re të qytetit drejt përfundimit

Peshkopi, punimet në unazën e re të qytetit drejt përfundimit

Punimet për ndërtimin e Unazës së re të qytetit të Peshkopisë, janë drejt përfundimit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton se pas zgjidhjes së problematikave me karakter social që shkaktuan vonesa në zbatimin e projektit, tashmë ka përfunduar 98% e punimeve.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit sqaron se është ndërtuar rrjeti inxhinierik nëntokësor, përshirë sistemin e ndriçimit, ndërkohë që ka përfunduar puna për asfaltimin e rrugës. Ky projekt parashikon edhe ndërtimin e trotuarëve përgjatë rrugës.

Projekti për ndërtimin e Unazës së Peshkopisë Unaza financohet nga qeveria shqiptare në kuadër të programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit “Rehabilitimi i Rrugëve Prioritare”.
Synimi i këtij projekti është që të lehtësojë trafikun në qytetin e Peshkopisë duke shërbyer si bypass veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë që deri para projektit kalonin nëpër qytet.

Krahas unazës së re të Peshkopisë, një tjetër projekt tashmë i përfunduar në qarkun e Dibrës ai i ndërtimit të rrugës Kastriot – Arras, 6 km përgjysmon distancën në lidhjen e banorëve të 20 fshatrave të njësive administrative Arras dhe Fushë Cidhen dhe Peshkopisë.