Ballina LAJME Peshëngritje, Kupa Mesdhetare, Erkand Qerimaj fiton tre medalje të arta

Peshëngritje, Kupa Mesdhetare, Erkand Qerimaj fiton tre medalje të arta

Erkand Qerimaj ka qënë thjesht fenomenal në Kupën Mesdhetare të Peshëngritjes, që zhvillohet në San Marino. Peshëngritësi shkodran arriti të dominojë totalisht disiplinën deri në 81 kilogramë, duke marrë tre medalje të arta në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.

Qerimaj ngriti lart 156 kilogramë në stilin e shkëputjes, ndërsa në shtytje ia doli të ngrejë 190 kilogramë, duke fituar me meritë edhe vendin e parë në dygarësh, me një total prej 346 kilogramë.

Në të njëjtën peshë garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Daniel Godelli, i cili ngriti 145 kilogramë në shkëputje dhe 186 në shtytje, duke marrë një medalje bronzi në këtë stil dhe duke u renditur i katërti në dygarësh.

Edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Briken Çalja, në kategorinë deri në 73 kilogramë, mori medalje argjendi në shkëputje me 145 kilogramë dhe medalje bronzi në shtytje me 175 kilogramë, ndërsa edhe në dygarësh u rendit në vendin e tretë.

Pas kësaj paraqitjeje, të tre peshëngritësit siguruan kualifikimin në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, ndërkohë që Qerimaj vendosi edhe tre rekorde mesdhetare.