Ballina LAJME Peshëngritje, fillon Kampionati Botëror në Tajlandë, në garë edhe katër shqiptarë

Peshëngritje, fillon Kampionati Botëror në Tajlandë, në garë edhe katër shqiptarë

Prej të mërkurës, më 18 shtator, në Pataja të Tajlandës ka nisur Kampionati Botëror i Peshëngritjes, ku garohet në 10 kategori të ndryshme, pesë për meshkuj dhe pesë për femra. Në këtë edicion të këtij aktiviteti botëror, Shqipëria përfaqësohet me katër peshëngritës, të cilët janë Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Çalja dhe Krenar Shoraj.

Briken Çalja, i cili është kampioni i Evropës në stilin e shkëputjes, është peshëngritësi shqiptar që do të ngjitet i pari në pedanë. Cërrikasi do të garojë në kategorinë 73 kg, të shtunën në orën 15:25 minuta.

Ndërkohë, të dielën do të jetë rradha e dy peshëngritësve të tjerë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli. Të dy sportistët do të garojnë për kategorinë 81 kg, duke filluar nga ora 9:25 minuta e mëngjesit. Ndërsa peshëngritësi Krenar Shoraj do të jetë i fundit që do të garojë në Tajlandë. 27-vjeçari do të ngjitet në pedanë të hënën, në orën 9:25 minuta të mëngjesit.

Shqipëria synon jo vetëm të bëjë paraqitje të mira, por edhe të sigurojë sa më shumë pikë në dygarësh, në mënyrë që të dërgojë sa më shumë shtangistë në Lojrat Olimpike Tokyo 2020.