Ballina Aktualitet Përplasjet me Bashkinë, KQZ-ja vendos që KZAZ-ja e Kukësit të zhvendoset në...

Përplasjet me Bashkinë, KQZ-ja vendos që KZAZ-ja e Kukësit të zhvendoset në një hotel

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur për zhvendosjen e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) në Kukës në ambiente të administruara nga institucioni i Prefektit të Qarkut.

Gjatë mbledhjes së organit zgjedhor, katër anëtarët e zgjedhur nga Partia Socialiste votuan pro pozicionimit të KZAZ-së së Kukësit në “Bufe Veranda”, njohur ndryshe si ish-hotel Drini. “Në ambientet e Bufe Verandë e ish-hotel Drinit, me sipërfaqe 164 metra2 Kukës. Katër vota pro 1 kundër”, tha kreu i KQZ-së, Klement Zguri, i cili votoi kundër propozimit.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merakaj, bëri të ditur gjatë mbledhjes se kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, ka kërkuar lirimin e ambientit të administruar nga ky institucion, ndërkohë që Prefekti i ka propozuar zhvillimin e proceseve administrative dhe numërimin e votave në hotelin e lartpërmendur.

“Propozimi i ardhur nga Prefekti i Qarkut plotëson përafërsisht kërkesat e ligjit, është me sipërfaqe 164 metra katrorë dhe në vlerësimin tonë është një sipërfaqe që mund të shërbej për numërimin e votave. Është propozim i Prefektit të Qarkut për ndryshimin e VNV-së. Përsa kohë Bashkia Kukës ka kërkuar lirimin  e ambienteve që janë në administrimin e saj për të mos krijuar konflikt ne kemi menduar që kemi menduar që është zgjidhja më e mirë për të shërbyer si vendnumërimi për votat”, tha Merakaj.