Përplasi gruan e kushëririt me makinë, autori deklaron versionin e tij në gjykatë

48

“Arrest me burg” ka caktuar Gjykata e Shkodrës, për 50-vjeçarin Hilë Simoni, i cili akuzohet se gjatë fundjavës përplasi me makinë dhe futi nën rrotat e mjetit, gruan e kushëririt të tij, Katrina Hila, duke e plagosur rëndë.

Duke folur sot në gjykatë për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 20 shtatorit në fshatin Gur i Zi, i dyshuari deklaroi se gjithçka ishte aksidentale.

Ai ka thënë se nuk ka konflikt me familjen e 54-vjeçares, dhe se ngjarja nuk ka qenë e qëllimshme.

“Edhe djali im të ishte nuk do të kisha mundur ta shmangia aksidentin. Para një jave kam pirë edhe kafe me bashkëshortin e Katrinës, kushëririn tim, nuk kemi probleme”, u shpreh i dëmtuari në gjykatë.

Nga ana e saj, e dëmtuara pretendon se gjithçka është e qëllimshme pas sherrit për një gardh që ndante shtëpitë e tyre.

Duke folur në media, Katrina Hila tha se Hilë Simoni e ka përplasur me makinë dhe më tej i ka kaluar me rrota sipër këmbëve, madje ka tentuar ti nxjerrë edhe sytë.