Ballina Kronikë Përgjimet/ ‘Morëm fund për Zotin….’, zbardhen bisedat midis trafikantëve të drogës

Përgjimet/ ‘Morëm fund për Zotin….’, zbardhen bisedat midis trafikantëve të drogës

Janë zbardhur të tjera përgjime që lidhen me grupin e trafikantëve që u kapën në megaoperacionin e Policisë së zhvilluar pak ditë më parë ku u arrestuan 10 persona, midis të cilëve edhe zv/drejtori i Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj dhe futbollisti Ardian Xhibror.

Në përgjimet ambientale të Prokurorisë ka rënë edhe një nga krerët e dyshuar të bandës që trafikonte sai të ndryshme droge kryesisht kanabis statova nga Saranda për në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Ngarkesa e parë e drogës

Më datë 6 tetor 2018, në rrugën Filiatis-Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan nga Policia greke 76 kg e 760 gr lëndë narkotike kanabis sativa, e cila ishte eksportuar nga Saranda në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër. Itinerari i lëvizjes së drogës ishte nga Saranda, nëpërmjet kufirit të gjelbër midis Shqipërisë dhe Greqisë për në Igumenicë, në rrugën FiliatisTamastas, ku dhe u bë sekuestrimi i saj nga Policia greke.

Në këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit shqiptarë: Klodjan Lito (Leto), 42 vjeç, banues në Berat; Afrim Kobuzi, 31 vjeç, banues në Sarandë; Andrea Zenellari, 21 vjeç, banues në Berat; dhe Danjel Berberi, 23 vjeç, banues në Sarandë.

Për këtë fakt penal rezulton se kanë bashkëpunuar shtetasit nën hetim: Besmir Ymeri, 32 vjeç, banues në Vlorë; Odise Ymeri, 28 vjeç, banues në Sarandë; Mikel Jorgji, 37 vjeç, banues në Sarandë; dhe Jonida J., 33 vjeçe, banuese në Sarandë. Më poshtë, Gjykata do citojë në këtë vendim disa nga rezultatet e përgjimeve për numrat 373, 003 dhe 026, të autorizuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe konkretisht:

Më datë 26 shtator 2018, ora 08:45, Mikel Jorgji i dërgon mesazh Besmir Ymerit me këtë përmbajtje: “Fole gjë mo, se i kam thën tjetrit dhe po bëhem hasëm, ça do bëjmë?”. Në orën 19:24, shtetasi Besmir i përgjigjet Mikelit: “Me thuaj që t’i them tjetrit”. Në vijim, në orën 19:26, Besmiri i kthen sërish mesazh Mikelit: “50 mij lek 100 200”. Po më datë 26 shtator, në orën 22:31, shtetasi i arrestuar në Greqi, Danjel Berberi, i dërgon mesazh Besmirit: “Danjeli jam, kalo pak ktej”.

Më datë 30 shtator, ora 15:28, Mikeli i dërgon mesazh Besmirit: “Fol me byrazerin vajti aty?”. Më pas, në orën 19:53, Mikeli i kthen këtë përgjigje Besmirit: “Jo s’kam fol, ka tel të fikur”.

Më datë 4 tetor 2018, ora 22:37, Mikel Jorgji komunikon me përdoruesin e një numri grek, ku ky i fundit i shkruan këtë mesazh: “Merr pak tel gr kel”.

Më datë 6 tetor, ora 12:09, Mikeli komunikon me bashkëshorten e tij dhe flasin për arrestimin e shtetasve të mësipërm, po atë ditë në Igumenicë:

Bashkëshortja: Ç’bën ti Keli?

Mikeli: Hiç.

Bashkëshortja: E ke hap telefonin?

Mikeli: E.

Bashkëshortja: Pe gjë?

Mikeli: Jo.

Bashkëshortja: Ë. Ja shiko noi her. Shiko ndonjë gjë kshu se çoç pash un. Mirë?

Mikeli: Po.

Sërish pas 2 minutash midis tyre, pra midis Mikelit dhe bashkëshortes, zhvillohet një tjetër bisedë pas njoftimit në mediat lokale greke të Janinës, Igumenicës etj., të cilat kanë shikueshmëri edhe në Sarandë:

Bashkëshortja: Hë?

Mikeli: Thua?

Bashkëshortja: A?

Mikeli: Këtu mo?

Bashkëshortja: E mos si ato t’shokut tëndë ë, të vllezërve! Si ata të vllezërve mo.

Mikeli: ë ë ë, po është e vjetër m’duket ku di unë…

Bashkëshortja: Jo, jo, ësht tani, nuk ësht e vjetër, sot. Ç’ësht kjo e vjetër? Tani e shikoj ktu. Mikel ë, që jan katër ë?

Bashkëshortja: E. Haj.

Këtu rezulton se bëhet fjalë pikërisht për 4 të arrestuarit e paradites së datës 6 tetor 2018 në rrugën Filiatis-Tamastas në Igumenicë, Greqi.

Shoku i Mikelit, siç e cilëson në bisedë bashkëshortja e tij, është shtetasi Besmir Ymeri, me numër 373, ndërsa vëllai i Besmirit është shtetasi Odise Ymeri, me numër 560.

Nga analiza e kryer mbi tabulatet dhe qelizat e komunikimit të numrave celularë që kanë përdorur vëllezërit Ymeri, Mikel Jorgjo dhe shtetasi i arrestuar në Igumenicë, Danjel Berberi, rezulton se midis shtetasit të arrestuar Danjel dhe shtetasit Besmir ka komunikime të vazhdueshme midis tyre deri më datë 2 tetor 2018, kohë në të cilën shtetasi Danjel ka kryer komunikimet e fundit në Shqipëri.

Siç rezulton edhe nga hetimet në vijim, lëndën narkotike për disa ditë e kalojnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë, në këmbë, e pastaj me automjet drejt Athinës kryesisht.

Po ashtu, edhe midis vëllezërve Ymeri e shtetasit Mikel Jorgji ka komunikime. Komunikimet janë nga data 1 tetor, deri më datë 6 tetor. Në këtë rast, shtetasi Danjel me bashkëpunëtorët e tij, pasi kanë marrë lëndën narkotike të shtetasit nën hetim Besmir Ymeri, Odise Ymeri, Mikel Jorgji dhe bashkëshortes së tij, janë nisur ta eksportojnë me këmbë drejt Greqisë nga kufiri i gjelbër.

Më datë 2 tetor 2018 dhe më datë 6 tetor 2018 kanë arritur në Igumenicë, për të ikur drejt Athinës e në këtë vend ka ndërhyrë Policia greke. Mbi bazën e akteve të shqyrtuara, rezulton se vëllezërit Ymeri dhe Mikel Jorgji e bashkëshortja e tij dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim me shtetasit Klodjan Liro, Afrim Kobuzi, Andrea Zenellari dhe Danjel Berberi. Lidhur me arrestimin e shtetasve Lito, Kobuzi, Zenellari e Berberi, si dhe me qëllim administrimin e akteve e provave rreth hetimeve që autoritetet greke të drejtësisë kanë kryer, më datë 13 shkurt 2019, organi i Akuzës ka nisur një letërporosi, e cila me shkresë të datës 19 shkurt u është përcjellë nga Ministria e Drejtësisë këtyre autoriteteve.

Ngarkesa e dytë e drogës

Më datë 24 nëntor 2018, në qytetin e Sarandës janë sekuestruar 32.35 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e cila ishte destinuar për të kaluar nga kufiri i gjelbër drejt territorit grek. Lidhur me këtë rast janë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë: Ergis Kalemi, 32 vjeç, banues në Tepelenë; Aldo Pata, 28 vjeç, banues në Tepelenë; Sueld Çapuni, 26 vjeç, banues në Tepelenë.

Nga provat e shqyrtuara rezulton se të përfshirë në këtë episod kriminal, krahas shtetasve të arrestuar, për të cilët po vijojnë hetimet nga Prokuroria e Sarandës, janë edhe shtetasit: Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Aleks Nanaj (Adil Nano), 37 vjeç, banues në Sarandë; Ervin Hysaj, 24 vjeç, banues në Tepelenë; Artan Hoxha, 47 vjeç, banues në Gjirokastër; Andrea Caca (Vipi), 50 vjeç, banues në Tepelenë; Donaldo Nela (Tupe), 22 vjeç, banues në Tepelenë, një shtetas shqiptar ende i paidentifikuar, dyshohet se jeton në Athinë.

Nga bisedat telefonike të përgjuara, si dhe nga vëzhgimet e kryera, ka rezultuar se më datë 30 tetor 2018, ora 18:51, zhvillohet biseda midis Odise Ymerit dhe shtetasit Mikel Jorgji me këtë përmbajtje:

Odisea: Hë more?

Mikeli: Vajte në shpi ë?

Odisea: S’kam dal fare.

Mikeli: E mo mir. Hajt.

Odisea: Nga je?

Mikeli: Jo mot ë marr nesër, s’ka gjë. Tani fola i çik po ku di unë. Haj…

Më datë 31 tetor, ora 21:07, Ervin Hysaj telefonin Mikel Jorgjin dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Mikeli: O vlla fola.

Ervini: O vlla fole?

Mikeli: Po fola mo, ja, po nuk diskutoej për sot o vlla. Un i thash.

Ervini: O vlla, nai bë hallall t’keqen vllai, nesër n’men, nesër i ke aty për kok të plakut.

Mikeli: E mo e po, o thash do më marësh, do më mari para, e kupton?

Ervini: Mir të keqen vlla mir vlla.

Mikeli: Mir ë?

Ervini: Hajde derman. Në rregull vllai, hajd.

Më datë 1 nentor, ora 14:24, shtetasi Mikel Jorgji komunikon me shtetasin Sueld Çapuni dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Sueldi: Hë vlla.

Mikeli: Do vonohesh shumë?

Sueldi: Maksimumi një orë nisem.

Mikeli: E mirë, se këtu nga gjysma e rrugës e kupton.

Sueldi: Po qe te gjysma vlla s’ka problem.

Mikeli: Emo e ke parasysh, sa merr maloren që del lart në qafë.

Sueldi: Po do të të marr në telefon vëllai kur të nisem.

Mikeli: E mirë, merrem në telefon.

Sueldi: Mirë, ok.

Po më datë 1 nëntor, ora 17:06, Odise Ymeri bisedon me Mikel Jorgjin:

Mikeli: Tek lokali je poshtë?

Odisea: eee tek lokali.

Mikeli: eee erdha.

Më datë 1 nëntor, pas orës 18:00, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në afërsi të Syrit të Kaltër, pranë një karburanti, është realizuar takimi mes Mikel Jorgjit dhe Ervin Hysajt dhe dorëzimi i lëndës narkotike. Në këtë shkëmbim kanë qenë së bashku me lidhjet e tij shoqërore Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Donald Nela, Ervin Hysaj, Adil Nano dhe Sueld Çupani. Ky takim është shoqëruar me vëzhgim në terren nga Njësia Operacionale e Policisë së Shtetit.

Qëllimi i këtij takimi ishte dorëzimi i lëndës narkotike, që lidhjet shoqërore të Mikelit t’i dërgonin ato nga Pika e Kalimit Kufitar, ose nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Athinë, te lidhja shoqërore e Ervinit, shtetas i paidentifikuar që jeton në Greqi.

Ngarkesa e tretë

Më datë 6 dhjetor, në Igumenicë u sekuestruan 76 kg e 760 gr lëndë narkotike kanabis sativa. Lidhur me aktet dhe provat e administruara nga autoritetet e drejtësisë në Greqi, akuza ka dërguar letërporosi më datë 13 shkurt 2019, së cilës i është dhënë rrugë nga Ministria e Drejtësisë dhe janë në pritje të ekzekutimit të saj.

Sekuestrimi i kësaj lënde narkotike u arrit falë bashkëpunimit të oficerit të Policisë Gjyqësore që ndiqte hetimet e procedimit penal dhe autoritetet e Antidrogës në Greqi, duke u koordinuar ky bashkëpunim edhe nga SELEC në Bukuresht, Rumani. Të dhënat e përfituara nga përgjimet telefonike kanë krijuar një tablo të qartë të lëvizjes së lëndës narkotike nga kufiri i gjelbër Shqipëri-Greqi dhe falë këtyre të dhënave, në momentin e mosarritjes së sekuestrimit të saj në territorin shqiptar, është ndarë kjo e dhënë me autoritetet greke, të cilat kanë bërë të mundur sekuestrimin e saj dhe informacionin në vijim për operacionin.

Nga hetimet e kryera janë identifikuar si të implikuar shtetasit Aleks Nanaj (Adil Nano) dhe Petrit Nanaj, vëllezër, që kanë marrë përsipër eksportimin e sasisë prej mbi 76 kg kanabis nga Shqipëria drejt Greqisë. Për realizimin e këtij transporti, ata kanë angazhuar dy korrierë e konkretisht shtetasit Kujtim Zmalaj dhe Emiljant (Emiljan) Lamkollari, si dhe janë ndihmuar edhe nga shtetasit Elton Llanaj e Aleks Likaj.

Si në rastin e parë, vëllezërit Nanaj marrin përsipër eksportimin e lëndës narkotike nga kufiri i gjelbër ShqipëriGreqi dhe për këtë aktivitet kriminal përdorin korrierë. Nga përgjimet dhe transkriptimi i bisedave të zhvilluara mes tyre, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm janë të implikuar në këtë rast të trafikimit.

Më datë 29 nëntor 2018, ora 21:28, shtetasi Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Adil Nano dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Emiljanti: Hë, fole me atë?

Adili: E fola e, do t’u pres lart ai vlla, se ka ikur si i çallakosur.

Emiljanti: Ku do na pres?

Adili: Do u pres lart, pa dal atje.

Emiljanti: Pa dal lart? Po ne s’dimë asgjë as ça bën ai, or burr?

Adili: Si?

Emiljanti: Po ai ka frik që ikën ashtu, a çar?

Adili: Jo or jo, donte të ikte para ai, o vlla, donte të ikë para ndaj.

Emiljanti: Po ne s’dim asnjëri ktu mo, asnjëri s’po orientohet. Mir un, un një her kam kaluar, po ky tjetri që ka kaluar shum her?

Adili: Po t’i them të zbresim më posht ai?

Emiljanti: Po, thuaj të zbres pak posht nga reparti.

Adili: Dole, dole aty ti, dole tek ëëë… ajo?

Emiljanti: S’kam dal akoma te shpija vjetër.

Adili: Epo të pret te shpija ai pastaja.

Emiljanti: E, thuaj të dali të presi te shpija.

Adili: E mir, vlla.

Më datë 4 dhjetor, ora 10:00, Adil Nano telefonon Emiljant Lamkollarin dhe zhvillojnë bisedën:

Adili: Ku je?

Emiljanti: Jam te kafja… merrmi edhe cigaret me vete.

Më datë 4 dhjetor, ora 12:15, Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Aleks Likal:

Aleksi: Hë?

Emiljanti: Ça bët?

Aleksi: Hiç, mir, do ikim?

Emiljanti: Po, ku je?

Aleksi: Hajde ktu te hoteli, ikim direkt, t’marr ato rrobat se m’tha dil përsipër aty.

Emiljanti: Mirë hajd, se ashu.

Aleksi: Hajde po t’pres ktu te rruga.

Emiljanti: Hajd.

Pra siç vihet re nga këto biseda, shtetasit Aleks dhe Emiljant po bëhen gati me rroba dhe me cigare, të cilat u duhen gjatë rrugëtimit tokësor për në Greqi. Pas orës 12:15, të datës 4 dhjetor 2018 dhe deri më 6 dhjetor, nuk ka pasur biseda telefonike nga shtetasit Emiljant Lamkollari, pasi është nisur nga kufiri i gjelbër drejt Greqisë, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Kjo e dhënë iu përcoll nga OPGJ kolegëve grekë, me qëllim vlerësimin dhe ndjekjen e situatës në kuadër të hetimeve të filluara tashmë, edhe nga ana e tyre. Më datë 6 dhjetor, ora 10:06, shtetasi Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Aleks Likaj dhe i thotë: “Nisu, se dolëm, te pema”. Po më datë 6 dhjetor, rreth orës 10:06, ka pasur komunikime mes shtetasit Adil Nano me shtetasin Emiljant dhe zhvillohet kjo bisedë: “… ne sapo zbritëm te pema… okej, qëndroni aty ku ju lashë unë dje… pardje në rregull… se do kalojmë në rrugë tjetër…”

Ndërsa në orën 11:05 shtetasi Emiljant i telefonin Adil Nanos dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Adili: Ku je ti?

Emiljanti: Po zbresim poshtë.

Adili: Te qyteti atje?

Emiljanti: E, jam futur, kalova atë t’fundit.

Adili: E kalove, mir, zbrit më posht, se do ikim jo na erdhëm, do ikim na krahu tjetër, se takova nja dy shok të mit un aty n’rrug.

Emiljanti: Ne po vim andej, na…

Adili: E, si?

Emiljanti: Mba mend ku na le?

Adili: E e, zbritëm posht.

Emiljanti: Ok.

Adili: Domethën je ktej na të lashë un dje, pardje, jo?

Më datë 6 dhjetor, ora 12:37, Emiljan Lamkollari merr një mesazh nga Aleks Likaj, ku ky i fundit i shkruan: “O vlla, se jam me njerz nuk kam mbaruar akoma, pz, ndaj”.

Më datë 7 dhjetor, ora 18:46, Emiljanti i telefonon Elton Llanajt dhe nga biseda del se flasin për faktin se lënda narkotike e dërguar në Greqi ishte kapur dhe sekuestruar nga Policia greke.

Biseda është bërë e koduar dhe ka këtë përmbajte:

Emiljanti: Po?

Eltoni: Ça bën, ë?

Emiljanti: Hiç, po rrim. Ç’a bën?

Eltoni: Mir, ja, po ri ktu te lokali lagjes.

Emiljanti: Mir je?

Eltoni: Mir. Po rim ktu, po pim bira, do bëjm shere me karige. (qesh) Ça po bën?

Emiljanti: Hiç o hiç, aman, ters, vari lesht, për zotin.

Eltoni: Po ë, çfarë?

Emiljanti: Iku ajo për lesh.

Eltoni: Ça thua re?!

Emiljanti: Po, për zotin.

Eltoni: Ë, ra, e kputi qafën ë?

Emiljanti: Po.

Eltoni: Ça thua?

Emiljanti: Q… morëm fund, e, për zotin, se dim tani na q… (qesh)

Eltoni: Po ë?

Më datë 7 dhjetor, ora 18:50, Emiljanti zhvillon një bisedë me Eltonin”

Emiljanti: Po.

Elton: Ore, mund ta shikoj në internet unë, që t’ia tregoj atij tjetrit, e kan nxjerr ata, është hedhur ajo?

Emiljanti: Po ore, e gjen, ëëë

Eltoni: aaa

Emiljanti: E gjen.

Eltoni: Po unë kam faqe veç të grekut edhe të shqiptarit, që m’i nxjerr vet ato-ja.

Emiljanti: Sa e pashë edhe unë, te greku ishte, radio Igumenica.

Eltoni: Aaa po, ja, t’i them atij.

Emiljanti: Hajde se po e pashë, se s’kam as unë telefon. Po e pashë ta dërgoj unë.

Eltoni: Po mirë, ore vëlla, se dëgjohemi.

Emiljanti: Hajde.

Eltoni: Hajde ciao.